
Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë ka reaguar ndaj deklaratave të kreut të grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, i cili vuri në pikëpyetje paanshmërinë e prokurorit të Tiranës, Arbër Berexha, që e akuzoi atë si të lidhur me PD, për shkak se ka liruar nga burgu protestuesit e arrestuar. Balla pretendoi se prokurori kishte lidhje politike me anëtarë të grupit demokrat dhe i bëri thirrje Inspektorit të Lartë të Drejtësisë që të shqyrtojë çështjen. Në reagimin e saj, Shoqata shpreh shqetësimin për deklaratat që lidhin vendimmarrjen e prokurorit me pretendime për afërsi politike, duke theksuar se një gjuhë e tillë mund të ndikojë në pavarësinë e magjistratit dhe në ushtrimin e detyrës së tij.
“Aludimet për lidhje politike të prokurorit, të lidhura me një vendimmarrje konkrete, rrezikojnë të cenojnë pavarësinë e tij, respektimi i së cilës është detyrim kushtetues dhe kërkesë e shtetit të së drejtës”, thuhet në reagimin e Shoqatës. Shoqata nënvizon se prokurorët janë magjistratë të pavarur dhe se vendimet e tyre duhet të mbështeten te ligji, faktet dhe provat e administruara, pa ndikime nga politika.
“Prokurorët janë magjistratë dhe gëzojnë pavarësi në ushtrimin e funksionit të tyre. Në përmbushjen e detyrës, ata u nënshtrohen vetëm Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi. Vendimmarrja e prokurorëve duhet të mbështetet në faktet dhe provat e administruara, sipas kërkesave të ligjit, pa presione apo ndikime politike”, theksohet në deklaratë.
Shoqata sqaron se pavarësia e prokurorisë nuk e përjashton kritikën publike dhe as përgjegjësinë për vendimet e marra. Sipas saj, shqetësimi lind kur kritika shoqërohet me akuza për lidhje politike, pa u paraqitur prova konkrete. “Në parim, çdo vendim i prokurorisë mund t’i nënshtrohet kritikës, përfshirë kritikën publike. Pavarësia e prokurorëve nuk përbën përjashtim nga llogaridhënia. Megjithatë, pretendimi për lidhje politike, pa paraqitur fakte konkrete në mbështetje të tij, e zhvendos debatin nga arsyetimi juridik tek diskreditimi personal dhe profesional i magjistratit”, thuhet në reagim.
Shoqata paralajmëron gjithashtu se thirrjet publike për përfshirjen e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, kur lidhen drejtpërdrejt me një vendimmarrje konkrete, mund të krijojnë presion mbi prokurorin dhe mbi vendimet e tij të ardhshme. “Kur një pretendim i tillë shoqërohet me thirrje publike për ndërhyrjen e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për shkak të kësaj vendimmarrjeje, krijohet rreziku i ushtrimit të presionit mbi prokurorin dhe mbi vendimmarrjet e tij të mëtejshme. Përfaqësuesit politikë kanë përgjegjësi të veçantë për të shmangur këtë lloj retorike në komunikimin publik”, thekson Shoqata.
Në përfundim, Shoqata u bën thirrje përfaqësuesve politikë që të tregojnë përgjegjshmëri në deklaratat publike dhe të shmangin retorikën që mund të cenojë figurën dhe pavarësinë e prokurorëve. “Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë u bën thirrje përfaqësuesve politikë të ushtrojnë të drejtën e kritikës me përgjegjësi dhe të shmangin aludimet që shënjestrojnë prokurorët. Mbrojtja e pavarësisë së magjistratëve i shërben një procesi të paanshëm dhe zbatimit të ligjit në mënyrë të barabartë për këdo”, përfundon deklarata.
