Gjatë qëndrimit në Mal të Zi për Samitin e Procesit të Berlinit, që po zhvillohet në Budva, kryeministri Albin Kurti zhvilloi një takim me ministrin francez të deleguar për Evropën, Benjamin Haddad.
Në kuadër të pjesëmarrjes në samit, Kurti zhvilloi edhe disa takime në margjina të tij, ndërsa në Shën Stefan u takua me Haddadin, para vizitës së planifikuar në Paris për Forumin e Paqes në nëntor.
Të lidhura
None found
Përmes një postimi në Facebook, kryeministri tha se partneriteti me Francën po sjell rezultate konkrete dhe po krijon hapësira të reja bashkëpunimi. Ai rikujtoi se takimi pasoi vizitën e ministrit Haddad në Prishtinë në korrik.
Kurti bëri të ditur se, pas nënshkrimit të pesë marrëveshjeve dhe instrumenteve gjatë vizitës së ministrit francez në Kosovë, puna tashmë është përqendruar në zbatimin e tyre, me synim forcimin e bashkëpunimit në drejtësi, arsim dhe sport.
Si një nga rezultatet konkrete të këtij partneriteti, ai përmendi ratifikimin këtë muaj nga Kuvendi të kredisë prej 60 milionë eurosh për infrastrukturën e Lojërave Mesdhetare 2030. Në takim u diskutua edhe për zhvillimet politike në Ballkanin Perëndimor, ndërsa u nënvizua se paqja dhe siguria lidhen ngushtë me demokracinë, sundimin e ligjit dhe integrimin evropian.
Kryeministri shtoi se mbështetja e Francës mbetet me rëndësi për përparimin e Kosovës drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës dhe në Bashkimin Evropian.






