Rama publikon fotografinë e prerë nga Samiti i Berlinit, lë jashtë Kurtin dhe Mickoskin

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka publikuar një fotografi familjare nga Samiti i Procesit të Berlinit, që po mbahet në Shën Stefan të Malit të Zi, por në versionin e shpërndarë prej tij nuk shihen kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe ai i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski.
Fotografia, e publikuar të enjten, më 22 tetor 2026, paraqet liderët pjesëmarrës në samit, megjithatë versioni i shpërndarë nga Rama është i prerë në raport me fotografinë e plotë familjare, duke lënë jashtë dy kryeministrat e vendeve fqinje.
Nuk dihet nëse prerja e fotografisë ka qenë e qëllimshme apo rezultat i përshtatjes së saj për publikim në rrjetet sociale.
Por, ndryshe nga Rama, kryeministri Kurti ka publikuar fotografinë ku shihen të gjithë liderët, përfshirë kryeministrin e Shqipërisë.
Dhjetra komentues kanë hedhur kritika të ashpra ndaj Ramës, duke e konsuderuar si gjest të keq.
Në Samitin e Procesit të Berlinit, krahas kancelarit gjerman Friedrich Merz, janë mbledhur liderët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfaqësues të Bashkimit Evropian dhe udhëheqës të vendeve të tjera evropiane pjesëmarrëse në këtë nismë.
Takimi në Shën Stefan ka në fokus forcimin e bashkëpunimit rajonal, zhvillimin ekonomik dhe përshpejtimin e integrimit evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Samiti shënon gjithashtu përmbylljen e kryesimit të Malit të Zi të Procesit të Berlinit për vitin 2026.










































