Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë ka reaguar pas deklaratave të kreut të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ndaj një prokurori të Tiranës, lidhur me vendimmarrjen për arrestimet gjatë protestave kundër qeverisë.
Reagimi vjen pasi Balla, në një prononcim për gazetarët pas mbledhjes së Kuvendit, shënjestroi prokurorin Arbër Berexha, duke pretenduar se ai ka lidhje politike me Partinë Demokratike dhe duke kritikuar vendimin e tij për një çështje që lidhet me protestuesit.
Shoqata e Prokurorëve i cilëson shqetësuese deklaratat e deputetit socialist, duke theksuar se akuzat për lidhje politike, pa paraqitur prova konkrete, rrezikojnë të cenojnë pavarësinë e prokurorëve dhe besimin e publikut te drejtësia.
“Aludimet për lidhje politike të prokurorit, të lidhura me një vendimmarrje konkrete, rrezikojnë të cenojnë pavarësinë e tij, respektimi i së cilës është detyrim kushtetues dhe kërkesë e shtetit të së drejtës”, thuhet në deklaratën e Shoqatës.
Sipas saj, prokurorët janë magjistratë që u nënshtrohen vetëm Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi, ndërsa vendimet e tyre duhet të bazohen në fakte dhe prova, pa ndikime apo presione politike.
Shoqata thekson se vendimmarrja e prokurorisë mund t’i nënshtrohet kritikës publike, por pretendimet për lidhje politike të një prokurori, pa prova, e zhvendosin debatin nga argumentet juridike te diskreditimi personal dhe profesional.
“Kur një pretendim i tillë shoqërohet me thirrje publike për ndërhyrjen e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për shkak të kësaj vendimmarrjeje, krijohet rreziku i ushtrimit të presionit mbi prokurorin dhe mbi vendimmarrjet e tij të mëtejshme”, theksohet në reagim.
Shoqata sqaron gjithashtu se urdhrat e prokurorit për lirimin e menjëhershëm të personave të arrestuar, kur konstatohen arrestime në kundërshtim me ligjin, nuk përbëjnë vendime për pushimin e çështjes.
“Këta urdhra kanë objekt ligjshmërinë e heqjes së lirisë dhe nuk zgjidhin përfundimisht çështjen e përgjegjësisë penale. Sipas nenit 257 të Kodit të Procedurës Penale, në rastet e parashikuara nga kjo dispozitë, lirimi i menjëhershëm i të arrestuarit është detyrim ligjor i prokurorit”, sqaron Shoqata.
Në përfundim, Shoqata e Prokurorëve u bën thirrje përfaqësuesve politikë të tregojnë përgjegjësi në deklaratat publike dhe të shmangin akuzat që mund të shënjestrojnë prokurorë të caktuar.
“Mbrojtja e pavarësisë së magjistratëve i shërben një procesi të paanshëm dhe zbatimit të ligjit në mënyrë të barabartë për këdo”, përfundon deklarata e datës 22 tetor 2026.















