“Nuk kam asgjë personale me Trump”, Zelensky për CNN: Lehtësimi i sanksioneve do t’a fuqizonte Putinin
Airbnb ka vendosur kufizime të reja për detyrat që pronarët mund t’u kërkojnë vizitorëve para largimit nga banesat e marra me qira. Sipas rregullave të reja, mysafirët që paguajnë tarifë pastrimi nuk duhet të detyrohen të kryejnë punë që zakonisht u takojnë pastruesve, si larja dhe sistemimi i enëve apo heqja e çarçafëve nga shtretërit.
Rregullat e përditësuara do të zbatohen për të gjitha rezervimet e kryera në platformë nga data 20 nëntor. Sipas udhëzimeve të reja, pronarët do të mund të përcaktojnë shtatë rregulla standarde për banesat e tyre, si dhe të vendosin kërkesa të tjera, për sa kohë ato konsiderohen të arsyeshme.
Në udhëzimet e publikuara në faqen zyrtare të Airbnb thuhet se, në përgjithësi, pritësit nuk mund t’u kërkojnë vizitorëve të kryejnë detyra që kërkojnë shumë kohë ose përpjekje, apo që zakonisht kryhen nga personeli i pastrimit. Përveç larjes së enëve dhe heqjes së çarçafëve, në këtë kategori përfshihet edhe largimi i mbeturinave jashtë pronës.
Kompania tha për BBC-në se vendimi erdhi pas shqetësimeve të ngritura nga komuniteti i përdoruesve, sipas të cilëve rregullat e banesave shpesh ishin konfuze, të lodhshme dhe të vështira për t’u zbatuar.
“Rregullat e shtëpisë i ndihmojnë vizitorët të kuptojnë se çfarë presin pronarët prej tyre, por kemi dëgjuar nga komuniteti ynë se ato mund të jenë konfuze, të rënda dhe të vështira për t’u menaxhuar”, deklaroi kompania.
Sipas Airbnb, rregullat e reja synojnë t’i bëjnë kërkesat më të qarta dhe më të lehta për t’u kuptuar, duke shmangur detyrimet e papritura për vizitorët.
Rregullat e banesave do të shfaqen më dukshëm në platformë dhe do të përfshihen edhe në kujtesat që u dërgohen vizitorëve për rezervimet e tyre.
Megjithatë, do të lejohen disa përjashtime. Për shembull, në zonat që përballen me thatësirë dhe kufizime të furnizimit me ujë, pronarëve mund t’u lejohet t’u kërkojnë vizitorëve të kufizojnë kohën e qëndrimit në dush.
Kontratat shtesë do të lejohen vetëm në rrethana të kufizuara, përfshirë rastet kur ato kërkohen nga ligji ose nga rregullat e shoqatave të pronarëve të banesave.
Airbnb sqaroi gjithashtu se pronarët nuk do të mund të vendosin gjoba ndaj vizitorëve, por do të vazhdojnë të kenë të drejtë të përcaktojnë rregullat e banesave dhe kërkesat e tyre, brenda kufijve të politikave të platformës.
Nëse një kërkesë bie ndesh me rregullat e Airbnb, ajo do të sinjalizohet dhe pronari do të ketë mundësi të paraqesë ankesë nëse nuk pajtohet me vlerësimin.
Për vite me radhë, përdoruesit e Airbnb janë ankuar për detyrat që u kërkohen para largimit nga banesat, veçanërisht kur u duhet të paguajnë edhe tarifa të veçanta pastrimi.
Debati është rikthyer në vëmendje edhe pas përhapjes së videove në TikTok të një çifti pritësish, Cassie dhe Jon, të cilët tregojnë se si kontrollojnë me imtësi banesën e tyre me qira në shtetin amerikan të Xhorxhias, pasi largohen vizitorët.
Në një prej videove, çifti i akuzon mysafirët se nuk kanë respektuar rregullat e banesës, pasi kishin lënë telekomandën e televizorit jashtë vendit të saj.
Videot kanë shkaktuar kritika për shkak të rregullave të rrepta dhe standardeve të larta që çifti kërkon nga vizitorët. Megjithatë, ata janë mbrojtur duke argumentuar se përmbajtja e tyre është keqinterpretuar.
Pamjet kanë frymëzuar edhe krijues të tjerë në rrjetet sociale, të cilët kanë publikuar video parodi për të ironizuar pritësit me kërkesa të tepruara.
Me ndryshimet e reja, Airbnb synon të vendosë kufij më të qartë mes përgjegjësive të vizitorëve dhe punëve që duhet të kryhen nga shërbimi i pastrimit, veçanërisht kur për këtë të fundit paguhet një tarifë më vete.
Top Channel