Ish-trajneri i njohur holandez, Louis van Gaal, ka kritikuar ashpër UEFA-n dhe formatin e ri të Ligës së Kampioneve, duke e akuzuar organizatën europiane se po i jep përparësi përfitimeve financiare në dëm të cilësisë së futbollit.
Në deklaratat e tij për mediat holandeze, Van Gaal shprehu kundërshtinë ndaj sistemit të ri me një tabelë të vetme në fazën e ligës, i cili ka zgjeruar numrin e skuadrave pjesëmarrëse dhe të ndeshjeve që zhvillon secila prej tyre.
“UEFA mendon vetëm për të fituar para. Është një botë e vogël e korruptuar”, deklaroi tekniku holandez, duke vënë në pikëpyetje mënyrën se si është ndërtuar kompeticioni më i rëndësishëm europian për klube.
Sipas ish-trajnerit të Ajax-it, Barcelonës dhe Manchester United, zgjerimi i turneut ka sjellë diferenca më të mëdha në nivelin e skuadrave dhe ndeshje me shumë gola, por jo domosdoshmërisht futboll më cilësor.
“Quhet Liga e Kampioneve, apo jo? Në të duhet të marrin pjesë skuadrat më të mira. Kështu do të kishte më pak diferenca në nivel dhe, për rrjedhojë, më pak gola, por ndeshjet do të ishin të një niveli më të lartë dhe futbolli shumë më i mirë”, është shprehur Van Gaal.
Që nga sezoni 2024-2025, Liga e Kampioneve zhvillohet me një fazë të përbashkët lige, ku marrin pjesë 36 skuadra, kundrejt 32 skuadrave që merrnin pjesë në formatin e mëparshëm. Çdo ekip luan tetë ndeshje në këtë fazë, në vend të gjashtë ndeshjeve që zhvillonte më parë.
Një tjetër shqetësim i Van Gaal lidhet me numrin e madh të ndeshjeve dhe pasojat që kjo ngarkesë mund të ketë për futbollistët.
“Ka shumë ndeshje dhe, si pasojë, edhe më shumë dëmtime të lojtarëve”, ka deklaruar ai, duke iu referuar edhe dëmtimit të Khvicha Kvaratskhelia-s, i cili sipas raportimeve të fundit ka pësuar një dëmtim të rëndë.
Van Gaal argumenton se një format i organizuar sipas nivelit të skuadrave do të mund të garantonte ndeshje më konkurruese, cilësi më të lartë dhe më pak ngarkesë fizike për lojtarët.
Kritikat e tij rikthejnë në vëmendje debatin mbi zgjerimin e kompeticioneve europiane dhe ekuilibrin mes interesave financiare, spektaklit sportiv dhe mirëqenies së futbollistëve.


