Ekskluzive “Në kohë reale”/ Dëshmon për herë të parë nga spitali i Traumës, Aleks Marleka, taksistit që u plagos në Lezhë

Taksisti Aleks Marleka, i cili mbeti i plagosur rëndë me thikë pak ditë më parë në qytetin e Lezhës, ka rrëfyer për herë të parë për gazetaren Semiljana Azizi, në emisionin “Në kohë reale” në RTSH, dinamikën e ngjarjes nga ambientet e Spitalit të Traumës në Tiranë, ku po merr trajtim mjekësor. Ngjarja, për të cilën është vënë në pranga 65-vjeçari Ndoc Nogaj, ka marrë shkas nga refuzimi i shërbimit taksi për shkak të precedentëve problematikë të autorit në komunitet.
Konflikti mes tyre nisi në afërsi të një furre buke, kur autori i kërkoi llogari taksistit për mosdhënien e shërbimit një ditë më parë. Duke shpjeguar motivin e refuzimit, Marleka tregon se ishte në dijeni të vjedhjeve të vogla që 65-vjeçari kryente në zonë.
Ai thekson t’i jetë drejtuar autorit me fjalët se nuk i shërben më sepse është hajdut, duke i bërë të qartë se punon “për bukën e kalamajve, jo për hajdutët”. Pas këtij debati verbal, i cili u shoqërua me ofendime nga ana e autorit që raportohet të ketë qenë nën efektin e alkoolit, situata ka përshkallëzuar në dhunë fizike.
Sipas dëshmisë së të dëmtuarit, goditja ka qenë e papritur.
“Ai më erdhi nga pas dhe më plagosi pas shpine”, shprehet Marleka, i cili ka marrë plagë në anën e majtë të barkut. Pavarësisht lëndimeve, ai ka arritur të hipë në automjetin e tij për t’u nisur drejt spitalit.
Gjatë rrugës, ai ka hasur një patrullë policie, oficerët e së cilës e kanë ndihmuar menjëherë duke e transportuar fillimisht në Spitalin e Lezhës dhe më pas, brenda 20 minutash, drejt Spitalit Ushtarak në Tiranë, ku aktualisht e ka kaluar fazën e rrezikut për jetën.
Përtej ngjarjes së rëndë, taksisti thekson kushtet e vështira sociale dhe shëndetësore të agresorit dhe familjes së tij. Ai e përshkruan autorin si një person “me të meta mendore” dhe me probleme të thella ekonomike, duke theksuar se komuniteti ishte vazhdimisht i shqetësuar për vjedhjet e shpendëve dhe produkteve të kopshtit nga ana e 65-vjeçarit.
Në një apel të drejtpërdrejtë ndaj institucioneve, i dëmtuari kërkon që rasti të trajtohet përtej masave ndëshkuese standarde. Duke ngritur shqetësimin se burgu nuk është zgjidhja e duhur për një person me diagnoza të tilla psikiatrike dhe kushte ekstreme jetese, Marleka shprehet se agresori “ka nevojë ta marrë shteti në një qendër sociale”, pasi në të kundërt “ai do të vazhdojë të veprojë kështu edhe ndaj dikujt tjetër”.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



