Vendosni fjalën kyçe....

Enkelejda Olldashi: PD dhe PS po e minojnë së bashku protestën studentore


Enkelejda Olldashi ka reaguar ndaj deklaratave të kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili pretendoi se qindra pedagogë të lidhur me PD-në i janë bashkuar protestës së studentëve.

Në një prononcim për mediat, profesoresha e Juridikut ka kundërshtuar përpjekjet për t’i dhënë ngjyrime politike protestës, duke theksuar se si Partia Demokratike, ashtu edhe Partia Socialiste, po përpiqen ta dobësojnë atë.

“Të dyja forcat politike, PD dhe PS, po përpiqen ta minojnë, secila në formën e saj. Kështu që kjo është një formë minimi, por duhet të kuptojnë që politika vetëm rininë nuk e minon dot”, tha Enkeleda Olldashi, e cila ishte krah studentëve, madje mbeti edhe e lënduar nga gazi lotsjellës dhe spraji i përdorur nga policia.

Reagimi i saj erdhi pasi Berisha kishte deklaruar një ditë më parë se “qindra pedagogë, të lidhur me Partinë Demokratike, janë sot krahas të tjerëve në protestë”, një pretendim që u kundërshtua nga pedagogët pjesëmarrës, të cilët theksuan se angazhimi i tyre nuk është diktuar nga asnjë forcë politike.

Enkelejda Olldashi është bashkëshortja e politikanit të ndjerë demokrat Sokol Olldashi, i cili humbi jetën më 20 nëntor 2013, në moshën 41-vjeçare, si pasojë e një aksidenti automobilistik.

Sokol Olldashi ishte një nga figurat e njohura të Partisë Demokratike, ish-ministër i Brendshëm dhe ish-ministër i Punëve Publike dhe Transportit. Pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013 dhe dorëheqjes së Sali Berishës nga drejtimi i PD-së, Olldashi hyri në garën për kreun e partisë përballë Lulzim Bashës, i cili fitoi zgjedhjet e brendshme.