Lajmi i fundit

TASK FORCE/ Shqipëria 10 ditë në revoltë

Erkand Qerimaj tërhiqet nga Kampionati Botëror, akuza të forta ndaj Federatës së Peshëngritjes

Erkand Qerimaj tërhiqet nga Kampionati Botëror, akuza të forta ndaj Federatës së Peshëngritjes

17:48, 22/10/2026

Peshëngritësi shqiptar Erkand Qerimaj ka njoftuar publikisht tërheqjen nga Kampionati Botëror, një garë me rëndësi për kualifikimin në Lojërat Olimpike, duke ngritur akuza të forta ndaj drejtuesve të Federatës Shqiptare të Peshëngritjes.

Përmes një reagimi në mediat e tij sociale, Qerimaj ka bërë të ditur se vendimi për t’u tërhequr vjen pasi, sipas tij, drejtuesi i Federatës ka vendosur që ai të marrë pjesë në garë pa praninë e trajnerit.

Sportisti ka kërkuar ndërhyrjen urgjente të Ministrisë përgjegjëse për Sportin dhe Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, duke i bërë thirrje institucioneve të marrin përgjegjësi dhe të garantojnë të drejtat e tij.

“Federata e Peshëngritjes nuk është pronë private e askujt! Ajo nuk mund të drejtohet sipas interesave personale dhe as të përdoret për të penguar sportistët që përfaqësojnë Shqipërinë”, shkruan Qerimaj.

Peshëngritësi ka ngritur gjithashtu shqetësime për mënyrën e përdorimit të fondeve publike, duke theksuar se ato duhet të shërbejnë për mbështetjen e sportistëve dhe trajnerëve, jo për konflikte personale.

Në reagimin e tij, Qerimaj pretendon se prej tre vitesh është përballur me kallëzime të përsëritura në polici nga një person që e konsideron dashakeqës, ndërsa tashmë, sipas tij, po pengohet edhe pjesëmarrja në një kompeticion të rëndësishëm ndërkombëtar.

“Nuk kërkoj privilegje, por drejtësi, barazi dhe respekt për sakrificën time sportive”, thekson ai.

Në përfundim, Qerimaj kërkon veprime konkrete dhe llogaridhënie institucionale, duke paralajmëruar se heshtja nuk mund të jetë zgjidhje për një situatë që rrezikon përfaqësimin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.

“Heshtja institucionale nuk është zgjidhje. Ndërhyrja është detyrim! Përgjegjësia duhet të mbahet, ndërsa flamuri shqiptar dhe sportistët që e përfaqësojnë duhet të jenë mbi çdo interes personal”, përfundon peshëngritësi shqiptar.

Deri më tani, në informacionin e paraqitur nuk ka një reagim zyrtar nga Federata Shqiptare e Peshëngritjes lidhur me pretendimet e Qerimajt.

Postimi plotë i Erkand Qerimaj

REAGIM PUBLIK – KËRKOJ NDËRHYRJE TË MENJËHERSHME INSTITUCIONALE!

Me keqardhje, ndihem i detyruar të tërhiqem nga Kampionati Botëror, garë kualifikuese për Lojërat Olimpike, pasi drejtuesi i Federatës ka vendosur që të garoj pa asnjë trajner në krah.

- I kërkoj Ministrisë përgjegjëse për Sportin dhe Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar të ndërhyjnë URGJENTISHT, të marrin përgjegjësitë që u takojnë dhe të zgjidhin këtë situatë. Nuk mjaftojnë heshtja apo deklaratat formale; kërkohen veprime konkrete dhe llogaridhënie institucionale.

- Federata e Peshëngritjes nuk është pronë private e askujt! Ajo nuk mund të drejtohet sipas interesave personale dhe as të përdoret për të penguar sportistët që përfaqësojnë Shqipërinë.

- Fondet publike duhet të shërbejnë për mbështetjen e sportistëve dhe trajnerëve, jo për konflikte personale apo vendime që dëmtojnë përfaqësimin kombëtar.

- Prej tre vitesh përballem me kallëzime të përsëritura në polici nga një person që e konsideroj dashakeqës ndaj meje , ndërsa tani rrezikohet edhe pjesëmarrja ime në një garë me rëndësi olimpike.

U kërkoj institucioneve përgjegjëse të veprojnë menjëherë, të shqyrtojnë këtë çështje, të garantojnë të drejtat e mia si sportist dhe të kërkojnë llogari për vendimet e marra.

Nuk kërkoj privilegje, por drejtësi, barazi dhe respekt për sakrificën time sportive.

Nuk mund të pranohet që një sportist të detyrohet të heqë dorë nga një garë kualifikuese olimpike për shkak të vendimeve të drejtuesve të institucionit që duhet ta mbështesë.

Heshtja institucionale nuk është zgjidhje. Ndërhyrja është detyrim! Përgjegjësia duhet të mbahet, ndërsa flamuri shqiptar dhe sportistët që e përfaqësojnë duhet të jenë mbi çdo interes personal.

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco