Shoqata e Policëve të Liruar (SHPPL-2013) kundërshton përdorimin joproporcional të forcës ndaj të rinjve, gjimnazistëve dhe të miturve, ndërsa u bën thirrje drejtuesve të Policisë së Shtetit të garantojnë të drejtën për protestë paqësore në tubimin kombëtar të njoftuar për të shtunën, më 24 tetor.
Në një reagim publik, SHPPL-2013 shpreh shqetësimin për zhvillimet e fundit në vend dhe thekson se çdo veprim i Policisë së Shtetit duhet të jetë në përputhje me ligjin, rregulloret dhe protokollet që përcaktojnë ushtrimin e detyrës.
Shoqata nënvizon se asnjë urdhër, presion apo interes politik nuk mund të qëndrojë mbi ligjin, duke paralajmëruar se veprimet jashtë kornizës ligjore cenojnë të drejtat e qytetarëve dhe dëmtojnë besimin e publikut te Policia e Shtetit.
Për këtë arsye, SHPPL-2013 i kërkon drejtuesve të policisë të garantojnë që efektivët të veprojnë me vetëpërmbajtje, profesionalizëm dhe respekt të plotë për të drejtat e njeriut.
Reagimi i Shoqatës së Policëve të Liruar:
THIRRJE PËR PJESËMARRJE QYTETARE DHE APEL PËR POLICINË E SHTETIT
Shoqata e Policëve të Liruar (SHPPL-2013) po ndjek me shqetësim zhvillimet e fundit në vend dhe shpreh kundërshtimin e saj ndaj çdo përdorimi joproporcional të forcës nga uniformat e shtetit ndaj të rinjve, gjimnazistëve, vajzave dhe të miturve.
Policia e Shtetit ka ligje, rregullore dhe protokolle që detyrohet t’i zbatojë me profesionalizëm dhe paanshmëri. Janë pikërisht këto norma që garantojnë sigurinë publike, mbrojnë të drejtat e qytetarëve dhe sigurojnë që Policia të jetë në shërbim të ligjit dhe të shoqërisë.
Asnjë urdhër, presion apo interes politik nuk mund të qëndrojë mbi ligjin!
Çdo veprim jashtë kornizës ligjore cenon të drejtat e qytetarëve dhe dëmton besimin e publikut te Policia e Shtetit.
Për këtë arsye, i bëjmë thirrje drejtuesve të Policisë së Shtetit të ushtrojnë përgjegjësitë e tyre ligjore dhe të garantojnë që çdo efektiv të veprojë me vetëpërmbajtje, profesionalizëm dhe respekt të plotë për të drejtat e njeriut.
NJË MESAZH I VEÇANTË PËR DREJTORIN E PËRGJITHSHËM TË POLICISË SË SHTETIT!
Të shtunën, më 24 tetor, është njoftuar një protestë kombëtare. Detyra juaj është të garantoni ushtrimin e së drejtës për tubim dhe protestë paqësore, duke vepruar në mënyrë të paanshme dhe në përputhje me ligjin.
Qytetarët kanë të drejtë të shprehin lirshëm mendimet dhe pakënaqësitë e tyre. Policia ka detyrimin ta mbrojë këtë të drejtë, jo ta pengojë atë në mënyrë të kundërligjshme.
Të nderuar efektivë të Policisë së Shtetit!
Mos harroni se uniforma që mbani përfaqëson ligjin dhe përgjegjësinë ndaj qytetarëve. Autoriteti juaj nuk qëndron te forca që përdorni, por te profesionalizmi, vetëkontrolli dhe respektimi i ligjit.
Çdo shkelje duhet të trajtohet me seriozitet dhe çdo përgjegjësi ligjore duhet të përcaktohet sipas procedurave përkatëse.
THIRRJE PËR TË GJITHË ANËTARËT E SHPPL-2013 DHE QYTETARËT!
Të shtunën, le të jemi pranë studentëve dhe rinisë, në mbështetje të së drejtës për të protestuar, të dinjitetit qytetar dhe të shtetit të së drejtës.
Të bashkohemi me vendosmëri, përgjegjësi dhe në mënyrë paqësore, për një shoqëri ku ligji është i barabartë për të gjithë.
POLICIA NË SHËRBIM TË QYTETARIT, JO MBI QYTETARIN!
SHPPL-2013
Për ligjin, për qytetarin, për dinjitetin!
© SYRI.net
Lirimi i protestuesve/ Balla akuzoi prokurorin për lidhje me PD- Shoqata e Prokurorëve: Presion ndaj drejtësisë
‘Popullit i ka ardhur laku në fyt’, Sula: Guximi i fëmijëve, leksion për të gjithë ne!
Kur do niset treni Tiranë-Durrës? Fevziu tallet me zv/ministren e Transporteve: Kush e kupton përgjigjen