Zëvendësministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Olta Manjani, ka bërë të ditur se qeveria po përgatit një paketë të re masash për mbështetjen e të rinjve, e cila synon të përfshijë fillimisht 10 mijë persona, ndërsa në skenarin më optimist numri i përfituesve mund të arrijë në 16 mijë.
Në një intervistë televizive, Manjani shpjegoi se paketa mbështetet në katër shtylla kryesore: nxitjen e punësimit, lehtësimin e strehimit, vlerësimin e nivelit arsimor dhe krijimin e një sistemi më transparent për mundësitë që u ofrohen të rinjve.
Për zbatimin e masave parashikohet një financim shtesë prej 26–27 milionë eurosh në vit.
Një nga drejtimet kryesore të nismës është rritja e mundësive për punësim para dhe gjatë studimeve. Sipas Manjanit, qeveria synon të zgjerojë programin e nxitjes së punësimit, duke përfshirë edhe 5 mijë të rinj të tjerë.
Synimi është që të rinjtë të kenë më shumë mundësi për të fituar përvojë profesionale dhe për të hyrë në tregun e punës që në fazat e para të formimit të tyre.
Një tjetër shtyllë e paketës lidhet me pavarësimin ekonomik dhe lehtësimin e aksesit në banesë.
Sipas zëvendësministres, parashikohet ofrimi i kredive me interes zero për profesionistët e rinj, si dhe kredi me interes 3% për familjet e reja, me qëllim lehtësimin e blerjes së një banese.
Këto masa synojnë të ndihmojnë të rinjtë të krijojnë më shumë pavarësi ekonomike dhe të përballojnë më lehtë kostot e strehimit.
Paketë përfshin gjithashtu masa për vlerësimin e arsimit dhe krijimin e mundësive më të barabarta në tregun e punës.
Sipas Manjanit, një nga propozimet është përcaktimi i pagave minimale referuese në bazë të nivelit arsimor, me synimin për të lidhur më mirë formimin e të rinjve me vlerësimin e tyre në tregun e punës.
Shtylla e katërt parashikon përmirësimin e transparencës dhe të kuadrit ligjor që rregullon punësimin e të rinjve, në mënyrë që mundësitë dhe kriteret të jenë më të qarta.
Gjatë intervistës, zëvendësministrja u ndal edhe te protestat e të rinjve, duke theksuar rëndësinë e dialogut dhe të përfaqësimit të tyre në diskutimet për çështjet që ndikojnë në të ardhmen e tyre.
“Një nga parimet më të rëndësishme është që jo domosdoshmërisht duhet të mendojmë njësoj për të bashkëjetuar. Pranojmë të kemi mendime ndryshe. Shoqëria ka nevojë për më shumë dialog”, u shpreh Manjani.
Ajo nënvizoi se të rinjtë kanë të drejtën të shprehin qëndrimet e tyre dhe se është e rëndësishme të krijohen hapësira reale komunikimi, ku shqetësimet e tyre të dëgjohen dhe të përfaqësohen.
Paketa e propozuar synon të adresojë disa nga sfidat kryesore të të rinjve, nga punësimi dhe strehimi te vlerësimi profesional dhe transparenca. Numri përfundimtar i përfituesve dhe zbatimi konkret i masave do të varen nga skema që do të miratohet.


