Kuvendi ratifikoi Konventën e Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Profesionit të Avokatit, duke marrë përsipër një seri detyrimesh për garantimin e ushtrimit të lirë dhe të pavarur të këtij professioni. Ratifikimi vjen ndërsa avokatët në vend po bojkotojnë proceset gjyqësore, në shenjë proteste ndaj rregullores së Gjykatës së Lartë, të cilën kërkojnë të rishikojnë, duke argumentuar se prek ushtrimin e profesionit të tyre.
Konventa, e miratuar më parë nga Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës në mars 2025 dhe e hapur për nënshkrim në Luksemburg më 13 maj 2025, është marrëveshja e parë ndërkombëtare ligjërisht detyruese që kushtohet tërësisht mbrojtjes së profesionit të avokatit. Shqipëria e nënshkroi në Strasburg në qershor 2025; qeveria miratoi projektligjin për ratifikim në korrik, ndërsa Komisioni i Ligjeve e shqyrtoi më 6 tetor.
Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, në një video pas ratifikimit, përmendi pesë detyrimet kryesore që shteti merr përsipër me këtë akt. Së pari, avokatët duhet të ushtrojnë profesionin pa frikë dhe pa pengesa të padrejta, me mundësi për të takuar klientët, për t’u njohur me dosjet dhe për të marrë pjesë realisht në proceset ku i përfaqësojnë. Së dyti, komunikimi midis qytetarit dhe avokatit duhet të mbetet konfidencial. Së treti, avokati ka të drejtë të flasë lirisht, por me përgjegjësi. Së katërti, kur avokati kërcënohet ose sulmohet për shkak të punës së tij, shteti detyrohet të hetojë rastin seriozisht. Së pesti, dhomat e avokatisë duhet të jenë të pavarura dhe vetëqeverisëse.
Pas ratifikimit, Ministria e Drejtësisë do t’i njoftojë institucionet për detyrimet që rrjedhin nga Konventa. Brenda gjashtë muajve nga hyrja në fuqi e ligjit, Ministria do t’i paraqesë Komisionit të Ligjeve një analizë mbi përputhshmërinë e ligjit për avokatinë, Kodit të Procedurës Penale dhe akteve nënligjore me standardet e Konventës. Analiza do të hartohet në konsultim me Dhomën Kombëtare të Avokatisë.
Burimi i lajmit: Top Channel.
