Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka nisur hetimet për një çështje që lidhet me dyshimet për trafikimin e armëve nga Kosova drejt Shqipërisë. Konfirmimi është bërë nga vetë institucioni, në përgjigje të një kërkese për informacion të dërguar nga një media kosovare.

Sipas të dhënave të publikuara në Regjistrin e Kërkesave dhe Përgjigjeve të SPAK për muajin shtator 2026, Prokuroria e Posaçme ka pranuar ekzistencën e një hetimi për këtë çështje, por pa dhënë detaje mbi rrethanat apo personat që mund të jenë të përfshirë.

“Prokuroria e Posaçme ka në hetim një çështje që lidhet me trafik armësh të ardhura nga Kosova”, thuhet në përgjigjen e datës 17 shtator 2026.

Më 1 shtator, media kosovare i kishte drejtuar SPAK 15 pyetje lidhur me trafikimin e armëve mes dy vendeve. Kërkesa për informacion përfshinte të dhëna mbi numrin e rasteve të hetuara, personat e dyshuar dhe përfshirjen e mundshme të shtetasve kosovarë në këtë veprimtari kriminale.

Gjithashtu, kërkohej të sqarohej nëse armët e sekuestruara në Shqipëri rezultonin të vjedhura apo të humbura në Kosovë, si dhe nëse armë të blera në mënyrë të ligjshme në shtetin fqinj kishin përfunduar në tregun e paligjshëm shqiptar.

Një tjetër pistë që kërkonte verifikim lidhej me mundësinë e veprimit të grupeve kriminale në të dyja anët e kufirit dhe lidhjet e mundshme të trafikut të armëve me veprimtari të tjera të paligjshme, si trafiku i narkotikëve dhe pastrimi i parave.

Pyetjet përfshinin gjithashtu bashkëpunimin mes autoriteteve shqiptare dhe atyre kosovare për identifikimin e origjinës së armëve, verifikimin e numrave serialë dhe gjurmimin e pronësisë së tyre.

Megjithatë, SPAK nuk ka dhënë përgjigje për këto çështje konkrete, duke argumentuar se informacionet mbi veprimet hetimore dhe rezultatet e tyre mbrohen nga sekreti hetimor.

“Bazuar në nenet 103 dhe 279 të Kodit të Procedurës Penale, veprimet hetimore që kryhen në fazën e hetimit paraprak përbëjnë sekret hetimor. Duke iu referuar këtyre neneve, nuk mund të bëjmë me dije veprimet hetimore apo rezultatet e tyre”, sqaron Prokuroria e Posaçme.

Deri më tani, nuk janë bërë publike të dhëna të tjera mbi përmasat e hetimit, origjinën e saktë të armëve apo identitetin e personave që mund të jenë nën hetim.