Aktualitet Politikë

Bojkoti i proceseve gjyqësore, ratifikohet Konventa për Mbrojtjen e Avokatëve/ Gogu: Shteti merr përsipër 5 detyrime!

Është ratifikuar Konventën e Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Profesionit të Avokatit, duke marrë përsipër një sërë detyrimesh për garantimin e ushtrimit të lirë dhe të pavarur të këtij profesioni.

Ratifikimi vjen në një moment kur avokatët në vend po bojkotojnë proceset gjyqësore, në shenjë proteste ndaj rregullores së Gjykatës së Lartë, për të cilën kërkojnë rishikim, duke argumentuar se prek ushtrimin e profesionit të tyre.

Kuvendi e miratoi në seancë plenare konventën, e cila përbën marrëveshjen e parë ndërkombëtare ligjërisht detyruese që i kushtohet tërësisht mbrojtjes së profesionit të avokatit.

Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, në një video të publikuar pas ratifikimit, shpjegoi pesë detyrimet kryesore që shteti shqiptar merr përsipër me këtë akt.

Sipas Gogut, së pari, avokatët duhet të ushtrojnë profesionin pa frikë dhe pa pengesa të padrejta, duke pasur mundësi të takojnë klientët, të njihen me dosjet dhe të marrin pjesë realisht në proceset ku i përfaqësojnë.

“Së pari, avokati duhet ta ushtrojë profesionin pa frikë dhe pa pengesa të padrejta. Ai duhet të ketë mundësi të takojë klientin, të njihet me dosjen dhe të marrë pjesë realisht në procesin ku e përfaqëson.

Së dyti, ajo që qytetari i thotë avokatit të vet mbetet mes tyre.

Së treti, avokati ka të drejtë të flasë lirisht, por me përgjegjësi.

Së katërti, kur avokati kërcënohet ose sulmohet për shkak të punës së tij, shteti detyrohet ta hetojë rastin seriozisht.

Së pesti, dhomat e avokatisë duhet të jenë të pavarura dhe vetëqeverisëse.

Konventa u miratua nga Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës në mars të vitit 2025 dhe u hap për nënshkrim në Luksemburg më 13 maj të po atij viti. Shqipëria e nënshkroi në Strasburg në qershor të këtij viti. Qeveria miratoi projektligjin për ratifikimin në korrik, ndërsa Komisioni i Ligjeve e shqyrtoi më 6 tetor.

Pas ratifikimit, Ministria e Drejtësisë do t’u njoftojë institucioneve detyrimet që rrjedhin nga Konventa. Brenda gjashtë muajve nga hyrja në fuqi e ligjit, Ministria do t’i paraqesë Komisionit të Ligjeve një analizë mbi përputhshmërinë e ligjit për avokatinë, Kodit të Procedurës Penale dhe akteve nënligjore me standardet e Konventës.

Analiza do të hartohet në konsultim me Dhomën Kombëtare të Avokatisë”, thuhet në video.