Pas kontrolleve nga SPAK, biznesmeni izraelit, Ron Yeffet, po përballet me telashe edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Përplasja e ashpër ligjore mes Yeffet dhe paditësit të tij, Mark Faist, në Gjykatën e Floridës ka marrë një kthesë të fortë, ku në lojë është hapja e detyruar e llogarive bankare të Yeffet.
Paditësi Mark Faist, i cili akuzon ortakun e qeverisë shqiptare dhe mikun e ngushtë të Edi Ramës për mashtrim 8.6 milionë dollarë, ka depozituar një kërkesë për detyrim (Motion to Compel), përmes së cilës kërkon që gjykata të urdhërojë Yeffet-in të dorëzojë historikun e plotë të transaksioneve bankare për llogari specifike në Regions Bank, Provident Bank dhe Spencer Savings Bank.
Faist pretendon se paratë e tij të investuara për projekte ndërtimi në Nju Jork nuk u përdorën kurrë për qëllimin e kontraktuar, por Yeffet i shpenzoi për qëllime të tjera duke mashtruar.
Boomerangu ligjor dhe pretendimi 30-milionësh për Shqipërinë
Deri tani, ky gjyq mund të mbetej një mosmarrëveshje e thjeshtë tregtare për moskthim borxhi pas një marrëveshjeje ripagimi. Megjithatë, ishte vetë Ron Yeffet ai që e zgjeroi çështjen duke ngritur një kundërpadi për shpifje ndaj Faist-it.
Yeffet pretendon shprehimisht në dokumentet gjyqësore se akuzat për mashtrim që Faist ka përhapur ndaj tij te biznesmenët e tjerë i kanë shkatërruar reputacionin dhe i kanë kushtuar humbjen e një projekti të madh ndërtimi në Shqipëri, me vlerë mbi 30 milionë dollarë.
Kjo lëvizje e Yeffet-it është kthyer në një boomerang ligjor. Avokatët e Faist argumentojnë shprehimisht se meqenëse Yeffet kërkon 30 milionë dollarë për Shqipërinë duke pretenduar se akuzat ndaj tij janë të rreme, ai nuk mund të fshehë më deklaratat bankare në Amerikë.
Sipas ligjit të Floridës, vërtetësia është mbrojtje absolute (Truth Defense) ndaj shpifjes; nëse llogaritë bankare vërtetojnë se miliona dollarët u keqpërdorën, akuza për shpifje bie dhe pretendimi 30-milionësh i Yeffet për Shqipërinë digjet automatikisht.
Yeffet pranon mashtrimin për të shmangur hapjen e llogarive
Përballë këtij rreziku, avokatët e Yeffet kanë depozituar një mocion kundërshtues, duke përdorur një taktikë mbrojtëse: atë të stipulimit, që ndryshe njihet si marrëveshje faktuale.
Avokatët e Yeffet ofrojnë të pranojnë zyrtarisht përpara gjykatësit se fondet e investimit nuk u përdorën për shpenzimet e zhvillimit të pronave të përmendura në Nju Jork.

Përmes këtij pranimi, ata duan të bindin gjykatën se kërkesa e Faist për të kontrolluar bankat është “e tepërt, abuzive dhe joproporcionale”, pasi fakti kryesor u pranua vetë nga pala e tyre.
Megjithatë, Faist e ka refuzuar zyrtarisht këtë ofertë, pasi prania e thjeshtë që paratë nuk u përdorën atje nuk tregon se ku përfunduan ato realisht (nëse janë vjedhur apo keqpërdorur), çka përbën thelbin e mbrojtjes së tij ndaj kundërpadisë./ kapitali.al













