Ligji i ndryshuar për Dhomat e Specializuara, PDK i kërkon presidentes ta kthejë në Kuvend për rishqyrtim
Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka kthyer në Kuvend për rishqyrtim Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Vendimi u mor pas një propozimi zyrtar të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), me qëllim që deputetët të rishqyrtojnë veçanërisht dispozitat që lidhen me juridiksionin dhe mandatin e Dhomave të Specializuara, si dhe garantimin e të drejtave kushtetuese të personave që po gjykohen në Hagë.
Në arsyetimin e saj, presidentja ka vlerësuar sakrificën dhe kontributin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të drejtuesve të saj në luftën për lirinë dhe pavarësinë e vendit.
Ajo ka rikujtuar gjithashtu mbështetjen për Deklaratën e Kuvendit të Kosovës të 28 shtatorit 2026, lidhur me aktgjykimin e Dhomave të Specializuara ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Shiroka Pula ka ritheksuar qëndrimin kundër çdo përpjekjeje për të shtrembëruar të vërtetën historike të Kosovës apo për të vënë në dyshim karakterin çlirimtar të luftës së UÇK-së.
Presidentja ka bërë të ditur se po zhvillon konsultime me përfaqësues të institucioneve dhe subjekteve përkatëse shtetërore, me synimin e bashkërendimit të veprimeve institucionale dhe diplomatike për mbrojtjen dhe afirmimin e së vërtetës historike të luftës, si dhe për mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Dhomat e Specializuara.
Top Channel