Raportohet për një skemë mashtrimi me naftë mes Shqipërisë dhe Kosovës, ku në maune që supozohej të ishin të mbushura me naftë janë gjetur karburant i përzier me substanca të tjera dhe ujë. Informacioni del nga të dhënat e publikuara në Regjistrin e Kërkesave dhe Përgjigjeve të SPAK për muajin shtator 2026. Një media nga Kosova i ka drejtuar SPAK kërkesë për informacion nëse prokuroria po heton këtë skemë dhe nëse po bashkëpunon me Prokurorinë Speciale të Kosovës.
Në kërkesë pyetet nëse ekziston një skuadër e përbashkët prokurorësh që po heton çështjen, si dhe nëse substanca të përziera ose mallra të tjera kanë hyrë në Shqipëri përmes Portit të Durrësit apo pikave të tjera kufitare me destinacion final Kosovën. Një nga pikëpyetjet kryesore të medias është se si ka përfunduar ujë në maune që supozohej të ishin të mbushura me naftë.
Në fokus janë edhe kompanitë me bazë në Shqipëri që mund të jenë nën hetim ose ndaj të cilave mund të kenë marrë masa hetimore, përfshirë sekuestrimin preventiv. Pyetet gjithashtu për mundësinë e përfshirjes së zyrtarëve të doganave, inspektorateve, ministrive apo institucioneve të tjera përgjegjëse për kontrollin dhe mbikëqyrjen e tregtisë së derivateve.
Media nga Kosova kërkon informacion edhe për dëmin e mundshëm financiar ndaj buxhetit të shtetit përmes shmangies së taksave, akcizës apo detyrimeve të tjera fiskale. Një tjetër kërkesë është të dihet nëse për këtë çështje ka persona të ndaluar, arrestuar, shpallur në kërkim apo persona ndaj të cilëve është caktuar masë sigurimi në Shqipëri.
SPAK, në përgjigjen e datës 2 tetor, nuk konfirmon dhe as mohon ekzistencën e një hetimi për skemën e dyshuar. Në përgjigje thuhet: “Të dhënat në Regjistrin e Njoftimeve të Veprave Penale i nënshtrohen sekretit hetimor. Për rrjedhojë, nuk është e mundur të konfirmojmë ose të mohojmë regjistrimin e një kallëzimi apo ekzistencën e një procedimi penal”. Top Channel.
