Studentët që po protestojnë kanë ndërtuar një mënyrë të veçantë koordinimi, përmes së cilës synojnë të mbajnë nën kontroll lëvizjet e turmës dhe të shmangin kaosin në rast përplasjesh.
Në një video të publikuar në rrjetet sociale, paraqitet skema që përdorin protestuesit për të komunikuar me njëri-tjetrin. Përveç komunikimit verbal, ata përdorin edhe shenja të caktuara, përmes të cilave përcjellin udhëzime pa shkaktuar konfuzion mes pjesëmarrësve.
Organizimi parashikon ndarjen e hapësirës së protestës në zona të ndryshme, duke përcaktuar pikat e grumbullimit dhe rrugët e daljes në rast rreziku. Qëllimi është që protestuesit të kenë orientim të qartë nëse situata tensionohet.
Në këtë skemë përfshihen edhe persona të ngarkuar me vëzhgimin e situatës dhe të tjerë që përcjellin informacionin te pjesëmarrësit. Këto role marrin rëndësi të veçantë në momentet kur ndërhyrja e policisë mund të sjellë lëvizje të menjëhershme të turmës.
Përmes këtij koordinimi, studentët synojnë të ruajnë lidhjen mes grupeve të protestuesve dhe të lehtësojnë orientimin drejt zonave të sigurta, duke ulur mundësinë e panikut gjatë situatave të paparashikuara.













