Dhjetë persona janë ndaluar nga policia e Kosovës në veri të vendit, pas një aksioni të përbashkët të institucioneve të drejtësisë dhe sigurisë kundër kontrabandës së mallrave. Sipas njoftimit zyrtar të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, aksioni u zhvillua pas hetimeve gjashtëmujore dhe se gjatë kësaj periudhe janë sekuestruar në përgjithësi më shumë se 22 automjete, si dhe mallra me vlerë mbi 200.000 euro. Hetimet kanë zbuluar dhe ndërprerë aktivitetin e dyshimtë të futjes së mallrave nga territori i Serbisë në territorin e Kosovës përmes rrugëve të jashtëligjshme në zonat e thella malore të veriut të vendit, duke iu shmangur kontrollit doganor. “Prej majit deri në shtator të vitit 2026 janë zhvilluar më shumë se 20 aksione në zonat kufitare dhe në vendbanimet e komunave të Zubin Potokut, Zveçanit, Leposaviq dhe Mitrovicës së Veriut”, thuhet në njoftim.Sipas Prokurorisë, nga ky aksion janë sekuestruar: mbi 22 automjete, ndër to kamionë, furgonë, xhipa dhe vetura, si dhe mallra me vlerë doganore mbi dyqind mijë (200.000) euro, pa llogaritur taksat dhe detyrimet e tjera. Ndër mallrat e kontrabanduara kishte produkte ushqimore, barna pa pulla akcize, pije, produkte higjienike dhe tekstile, sipas autoriteteve.