Një burrë në Francë është bërë personi i parë që është infektuar me virusin Shamonda, ndërsa hetimet janë duke u zhvilluar për të zbuluar nëse ky virus ka kontribuar në vdekjen e tij.
Virusi Shamonda është një lloj bunyavirusi dhe përhapet nga pickimet e mushkonjave të infektuara. Sipas Agjencisë Austriake për Shëndetin dhe Sigurinë Ushqimore, te kafshët si gjedhi, delet dhe dhitë mund të shkaktojë diarre, mungesë oreksi dhe rënie të rendimentit të qumështit.
“Në Zvicër dhe Gjermani, prania e materialit gjenetik të Shav -virusit Shamonda- është raportuar gjithashtu në trurin e kuajve që ngordhën nga simptomat neurologjike”, tha agjencia.
Virusi është gjetur më parë te kafshët e fermave jashtë Evropës, por u zbulua për herë të parë te bagëtitë në kontinent gjatë verës. Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC) tha se pacienti në Francë ishte infeksioni i parë i njohur njerëzor.
Gjithashtu vuri në dukje se ai kishte qenë tashmë i sëmurë rëndë dhe kishte një sistem imunitar të dobësuar, që do të thotë se nuk ishte e qartë nëse virusi luajti ndonjë rol në vdekjen e tij këtë muaj.
“Hetimet nëse virusi shkaktoi ose kontribuoi në vdekjen e pacientit dhe si është marrë infeksioni janë duke vazhduar”, tha ECDC.
Prof. Tom Solomon, drejtor i institutit të pandemisë në Universitetin e Liverpulit, tha se rreziku për përhapjen te njerëzit duket se është shumë i ulët.
“Virusi Shamonda ka qarkulluar tek kafshët, veçanërisht tek bagëtia, por edhe tek delet, dhitë, kuajt dhe alpakat, për shumë vite, megjithatë ky është infeksioni i parë i njohur tek njerëzit”, tha ai.
“Kjo sugjeron që transmetimi te njerëzit është jashtëzakonisht i pazakontë. Ne nuk e dimë nëse njerëzit e shëndetshëm mund të infektohen pa zhvilluar simptoma, çfarë simptomash mund të shkaktojë normalisht virusi ose sa shpesh mund të shkaktojë sëmundje serioze.”
Autoritetet franceze besojnë se ndërlikimet neurologjike te ky pacient kanë shumë të ngjarë të jenë të lidhura me infeksionin, megjithëse hetimet po vazhdojnë. Kjo është qartësisht shqetësuese, por një rast i jashtëzakonshëm nuk do të thotë domosdoshmërisht se virusi përbën një kërcënim të rëndësishëm për popullatën e gjerë,” tha ai.













