Në një kohë të trazirave nga protestat studentore, kryeministri Edi Rama u ka kërkuar ministrave të nisin një proces për largimin e drejtuesve të institucioneve që janë në varësi të ministrive të tyre. Kreu i qeverisë i ka kontaktuar ministrat nga Budva, duke u kërkuar të thërrasin drejtuesit përkatës dhe t’u kërkojnë dorëheqjen e parevokueshme.
Vendimi i raportuar vjen në një moment kur qeveria po përballet me protesta në Tiranë, ndërsa pritet që në ditët në vijim Rama të dalë publikisht për të komunikuar hapat e mëtejshëm. Ende nuk dihet nëse kjo nismë synon të ulë tensionet dhe pakënaqësinë e qytetarëve, apo nëse lidhet me një riorganizim më të gjerë politik, në një kohë kur janë ngritur pikëpyetje edhe për mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme.
Rama ka kritikuar disa herë administratën shtetërore, veçanërisht për vonesat në trajtimin e kërkesave të qytetarëve dhe mosrespektimin e afateve ligjore. Vetëm një javë më parë, Rama paralajmëroi masa ndaj drejtuesve dhe punonjësve përgjegjës për këto shkelje, duke theksuar se çdo vonesë duhet të shoqërohet me përgjegjësi konkrete.
“Kur ti i vonon dhe del nga afati, ti duhet të marrësh koston tënde dhe këtë gjë ne do ta bëjmë me ligjin e Pasqyrës, në të cilin ne do të përcaktojmë se çdo shkelje afati duhet të ketë përgjegjësin dhe përgjegjësi duhet të marrë koston”, deklaroi Rama.
