Dogana bllokon lëndët e para të fasonëve me detyrime të papaguara, ProEksport: Rrezikojmë kontratat

ProEksport Albania ngre shqetësimin për bllokimin e mallrave në doganë si masë shtrënguese për detyrimet tatimore, praktikë që rrezikon prodhimin, eksportet, kontratat me klientët e huaj dhe vendet e punës.
Kryetari i shoqatës ProEksport Albania Edvin Prençe në një njoftim për mediat thotë se kjo masë ngre shqetësime serioze ligjore dhe për përputhshmërinë me standardet europiane.
Shoqata ProEksport Albania shqetësimin e ka ngritur zyrtarisht edhe pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave për praktikën e bllokimit të aktivitetit doganor të ndërmarrjeve prodhuese dhe eksportuese për detyrime tatimore të papaguara.
Sipas Shoqatës, kjo praktikë nuk ka një bazë ligjore të qartë për bllokimin e përgjithshëm të aktivitetit doganor dhe ngre shqetësime për përputhshmërinë me parimet e acquis të Bashkimit Europian.
“Problematika është veçanërisht serioze për industrinë e veshjeve dhe këpucëve, ku lëndët e para dhe produktet e përpunuara shpesh janë pronë e klientëve të huaj. Bllokimi i tyre mund të cenojë të drejtat e pronësisë, të ndërpresë prodhimin, të rrezikojë kontratat ndërkombëtare dhe vendet e punës”, vlerëson kryetari i shoqatës ProEksport Edvin Prençe në një njoftim për mediat.
Sipas zotit Prençe ProEksport Albania nuk kundërshton mbledhjen e detyrimeve tatimore, por masat shtrënguese që paralizojnë aktivitetin eksportues dhe dëmtojnë edhe palë të treta që nuk kanë detyrime ndaj shtetit shqiptar.
Përmes shkresës nr. 35-2026, datë 7 tetor 2026, Shoqata ka kërkuar sqarimin e bazës ligjore, rishikimin e kësaj praktike dhe mbrojtjen e aktivitetit të ndërmarrjeve që respektojnë marrëveshjet e pagesës me këste. Një masë për mbledhjen e detyrimeve tatimore nuk duhet të shkatërrojë burimin e të ardhurave nga i cili këto detyrime mund të shlyhen.
ProEksport Albania kërkon ndërhyrje institucionale dhe një zgjidhje të menjëhershme që mbron interesin fiskal të shtetit, pronësinë e klientëve të huaj, prodhimin, eksportet dhe vendet e punës.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









