Nga Ylli Pata
Pas një dirigjimi të egër në seancën e Kuvendit, ku përveç zjarrit u përdor dhunë për të ndaluar Kuvendin që të punojë normalisht, Sali Berisha shpalli se protestat e dhunshme i ka nisur Forumi i Partisë Demokratike, madje me “lista të sakta”.
Shpallja hapur se ai qëndron në krye të luftës së ushtarëve me maska, nuk është problem për Sali Berishën për opinionin tonë. Pasi këtë e thotë non stop qoftë ai, qoftë mediat e tij, qoftë qarqet e lidhur me të që e përsërisin në panelet e darkës që mbrojnë maskat që dogjën Tiranën.
Berisha, nuk resht ta përsërisë se është në mbrojtje të protestuesve të dhunshëm që në ditën e parë, madje edhe kur tha se do t’i strehojmë e t’i mbrojmë.
Edhe pse kjo deklaratë është një vepër penale e pastër, ai e di se këtu nuk i hyn një gjëmb në këmbë. Qoftë nga SPAK që nuk e nis një hetim për këtë katrahurë që e ka organizatorin në politikën e lartë, qoftë nga mazhoranca, që e përdor këtë material si një municion të luftës politike.
Sot Sali Berisha nuk ka folur as për opinionin vendas, as për politikën apo të ashtuquajturat institucione të drejtësisë që bëjnë se nuk e kanë parë djegien e tempujve të tyre. Që në çdo vend normal po të ndodhnin do të bëhej nami.
Në Milano nuk u dogj ndonjë gjykatë, po ushtria sot ka marrë në kontroll stacionet e trenit, metrosë, institucionet dhe qendrën e qytetit. Në mënyrë që policia të merret pa stres me menaxhimin e rendit publik.
Sali Berisha, ka folur si kryegjeneral i kapuçonëve zjarrvënës pikërisht duke negociuar sipas mënyrës së tij me ndërkombëtarët.
Kjo edhe pasi sulmoi ashpër dhe frontalisht ambasadorin amerikan nga media e familjes, ai po kërkon një qark tjetër që ta marrë si faktor. Me logjikën se po nuk negociuam me të që është organizatori i katrahurës, me kë duhet.
Është një përpjekje ekstreme, në dukje kamikaze, por këtë ka bërë gjithmonë kreu i PD-së e në shumicën e rasteve i ka dalë. Në vitin 1998, Sali Berishës ju hoq imuniteti nga Parlamenti me 2/3-at e socialistëve si dhe sot, por një muaj më pas kryeministri dhe zv.kryeministri i PS-së, së bashku me disa qarqe diplomatike u ulën në tavolinë për të negociuar uljen e gjakrave,
Dikush do të thotë se jemi në një fazë tjetër, në një epokë tjetër, por kjo varet si e shikon. Pasi këtu ka disa botë paralele, e sipas botës së doktorit, ai është me filozofinë e Tony Montana-s: “Thë world is yours”. E në fakt mjafton të shikojmë klubin Partizani për të parë konkretizimin e kësaj filozofie. Natyrisht ka edhe të tjera, por meqë është e lehtë të shpjegohet; për të është normale që një pronë publike, historike, shtetërore mund të transferohet thjesht në pronësinë e familjes së tij, e ta quajë “kthim prone”.
Gjithsesi kjo lëvizje kaotike, zhvillohet në një mjedis institucional gjithashtu kaotik, pasi atij nuk i hyn një gjemb në këmbë për këtë akt të fortë që shpalli sot si kryegjeneral i djegies së Tiranës. E Sipas gjasave nuk do t’i hyjë gjemb në këmbë. Natyrisht mund të ketë reperkursione politike, por siç kemi parë atë që nuk e merr me vota, e ka marrë me molotov.










