Kryeministri Edi Rama u ka kërkuar në mënyrë të papritir ministrave të nisin largimin e drejtuesve të institucioneve në varësi të tyre, në një kohë kur qeveria po përballet me protesta të vazhdueshme në Tiranë.
Rama i ka kontaktuar ministrat nga Budva, duke u kërkuar që të mbledhin drejtuesit e institucioneve në varësi dhe t’u kërkojnë dorëheqjet e parevokueshme.
Vendimi pritet të bëhet publik në ditët në vijim, ndërsa ende nuk dihet nëse kjo lëvizje synon të zbusë zemërimin e protestuesve apo lidhet me mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme.
Gjatë daljeve të fundit publike, Rama ka kritikuar disa herë administratën shtetërore. Një javë më parë, kryeministri paralajmëroi masa ndaj drejtuesve që nuk respektojnë afatet për t’u kthyer përgjigje qytetarëve dhe për të zgjidhur problematikat e tyre.
“Kur ti i vonon dhe del nga afati, ti duhet të marrësh koston tënde dhe këtë gjë ne do ta bëjmë me ligjin e Pasqyrës, në të cilin ne do të përcaktojmë se çdo shkelje afati duhet të ketë përgjegjësin dhe përgjegjësi duhet të marrë koston”, deklaroi Rama.
Lëvizja e raportuar për largimin e drejtuesve të institucioneve vjen në një moment të tensionuar politik, kur protestuesit në Tiranë kërkojnë largimin e kryeministrit dhe kanë shtuar presionin ndaj qeverisë.m.k





