Një shtetas i huaj është rrahur për vdekje nga një turmë prej rreth 50 personash në Durban të Afrikës së Jugut. Policia ka nisur hetimet për ngjarjen, ndërsa identiteti i viktimës dhe motivet e sulmit mbeten ende të paqarta.
Sipas autoriteteve, viktima besohet të ketë qenë rreth 40 vjeç. Nga hetimet paraprake rezulton se dy burra iu afruan fillimisht në anë të rrugës, përpara se ndaj tij të vërsulej një grup më i madh personash. I plagosuri rëndë ndërroi jetë në vendngjarje.
Zëdhënësi i policisë provinciale, Robert Netshiunda, i tha BBC-së se autoritetet nuk mund të spekulojnë për arsyet e sulmit, ndërsa informacione të tjera pritet të bëhen publike pas verifikimit të rrethanave.
Vrasja ndodh në një periudhë tensionesh të shtuara kundër emigrantëve në Afrikën e Jugut, ku disa protesta janë shoqëruar me akte dhune. Në fillim të këtij muaji, në Durban dhe në Soueto, pranë Johanesburgut, u dogjën dyqane dhe automjete.
Lëvizja “March and March”, një nga organizatoret e protestave, kishte caktuar fillimisht 30 qershorin si afat për largimin nga vendi të të gjithë emigrantëve pa dokumente. Përpara këtij afati u raportuan sulme ndaj shtetasve nga vende të tjera afrikane.
Situata ka nxitur shqetësime në disa shtete të kontinentit. Zimbabveja, Nigeria dhe Gana ndërmorën hapa për riatdhesimin e qytetarëve të tyre, mes frikës se dhuna mund të përshkallëzohej më tej.
Nigeria akuzoi autoritetet e Afrikës së Jugut për përgjegjësi lidhur me vdekjen e dy shtetasve të saj gjatë muajit, ndërsa Gana konfirmoi vrasjen e Bashiru Isak, baba i tre fëmijëve, i cili u qëllua për vdekje në Kejp Taun gjatë demonstratave kundër të huajve.
Ngjarja shkaktoi tensione diplomatike mes Ganës dhe Afrikës së Jugut. Autoritetet afrikanojugore, nga ana e tyre, deklaruan se përmasat e dhunës ndaj emigrantëve ishin ekzagjeruar.
Hetimet për vrasjen në Durban vijojnë, ndërsa policia ende nuk ka bërë të ditur motivin e sulmit apo nëse ka persona të identifikuar si të dyshuar.


