Nga mishi te perimet, certifikatat që shoqërojnë tregtinë në Ballkanin Perëndimor

Të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor janë angazhuar për të lehtësuar tregtinë drejt një tregu të përbashkët, në kuadër të nismës së Berlinit, por të dhënat nga portali i transparencës së CEFTA-s (Marrëveshja e Tregtisë së Lirë të Europës Qendrore -Central European Free Trade Agreement), tregojnë se Shqipëria dhe Kosova kanë numrin më të lartë të kërkesave për certifikatat veterinare dhe fito-sanitare.
Për të kaluar kufirin, një ngarkesë me mish, qumësht apo produkte bimore mund të ketë nevojë edhe për dokumente që dëshmojnë përmbushjen e kërkesave shëndetësore të vendit pritës. Certifikatat veterinare dhe fito-sanitare janë pjesë e këtij dokumentacioni, që shoqëron tregtinë bujqësore dhe ushqimore në Ballkanin Perëndimor, si në import dhe eksport.
CEFTA-s liston 40 certifikata veterinare dhe fito-sanitare për gjashtë ekonomitë e rajonit. Nëpërmjet tyre autoritetet e vendit importues marrin informacion mbi gjendjen shëndetësore të kafshëve dhe sigurinë e produkteve me origjinë shtazore, ose mbi rrezikun që bimët dhe produktet bimore të përhapin dëmtues e sëmundje.
Ndërsa kjo procedurë për bizneset eksportuese dhe importuese shpesh krijon pengesa dhe kosto. Dokumentacioni i saktë ndihmon në kryerjen e kontrolleve në kufi, ndërsa mungesat apo mospërputhjet mund të sjellin verifikime shtesë dhe vonesa. Për mallrat që prishen shpejt, si produktet e freskëta, koha e pritjes ka shumë rëndësi për cilësinë dhe koston e dërgesës.
Kosova dhe Shqipëria me numrin më të lartë të certifikatave
Në kërkesat për standardet veterinare dhe fito-sanitare të importeve të produkteve shtazore dhe ushqimore nga vendet e tjera shihet se Kosova aplikon numrin më të lartë të certifikatave me 14 gjithsej.
Kosova aplikon certifikata me dokumente të veçanta për mishin e gjedhit dhe të deles, qumështin, produktet e vezëve, mjaltin dhe produktet e peshkimit. Lista përfshin edhe certifikata për gjedhë të destinuara për riprodhim ose therje. Kërkesat shëndetësore në Kosovë ndryshojnë sipas produktit dhe përdorimit të tij.
Pas Kosovës vjen Shqipëria me rreth 11 modele certifikatash. Këto të fundit përfshijnë edhe dokumentin për rieksport, që përdoret kur një mall i importuar dërgohet më pas drejt një tregu tjetër. Shqipëria aplikon 6 certifikate veterinare dhe 3 fito-sanitare.
Në Serbi, CEFTA raporton katër certifikata, por dy prej tyre përmbledhin lista certifikatash veterinare. Njëra lidhet me eksportet nga Serbia, ndërsa tjetra me certifikatat e harmonizuara për import nga vendet e CEFTA-s. Modelet e përbashkëta mund ta bëjnë dokumentacionin më të qartë për eksportuesit dhe autoritetet, duke përcaktuar informacionin që duhet të shoqërojë ngarkesën.
Bosnjë-Hercegovina aplikon gjashtë regjistrime, por ato janë versione në gjuhën boshnjake, kroate dhe serbe të dy dokumenteve, certifikatës fitosanitare dhe asaj për rieksport.
Mali i Zi liston po këto dy lloje certifikatash fitosanitare. Maqedonia e Veriut aplikon 3 certifikata për produktet ushqimore dhe blegtorale, njëra prej të cilave është fitosanitare./ B.Hoxha
Kliko këtu për listën e certifikatave:
https://transparency.cefta.int/TradePortal
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.










