Një shtetas shqiptar, i dënuar më parë për drogë dhe banues në një apartament pranë vendit ku ndodhi shpërthimi në zonën e Kolonos, është në qendër të hetimeve të autoriteteve greke për ngjarjen që plagosi dy efektivë policie.
Sipas mediave greke, shqiptari është identifikuar dhe po merret në pyetje nga policia. Hetuesit po përpiqen të përcaktojnë nëse ai kishte lidhje me çantën që përmbante pajisjen shpërthyese dhe që dyshohet se ishte lënë në hyrje të ndërtesës, apo nëse ajo ishte vendosur aty nga një person tjetër.
Dyshimet janë shtuar pas veprimeve që ai dyshohet se ka kryer pas shpërthimit. Sipas rindërtimit paraprak të ngjarjes, shqiptari mund të ketë dalë nga banesa pasi dëgjoi zhurmën dhe, pasi kuptoi se çfarë kishte ndodhur, është kthyer në apartament për të marrë disa sende përpara se të largohej.
Megjithatë, gjatë marrjes në pyetje, ai ka pretenduar se nuk ndodhej në vendngjarje në momentin e shpërthimit. Autoritetet po verifikojnë deklarimet e tij dhe po analizojnë rrethanat për të përcaktuar nëse ka pasur përfshirje në ngjarje.
Sipas mediave greke, shqiptari ishte arrestuar në vitin 2008 për posedim të 100 gramëve kokainë. Ai kishte vuajtur dënimin me burg dhe ishte liruar në shtator të vitit të kaluar.
Një tjetër pistë e hetimit lidhet me marrëdhëniet e mundshme të tij me një shtetas shqiptar që ndodhet prej kohësh në burg. Policia greke po verifikon nëse ekzistojnë lidhje mes tyre dhe nëse ato mund të ndihmojnë në zbardhjen e ngjarjes.
Hetimet vijojnë për të përcaktuar se kush e vendosi çantën me pajisjen shpërthyese dhe cilat ishin rrethanat që çuan në shpërthimin në Kolonos, ku mbetën të plagosur dy efektivë policie. Deri në përfundimin e hetimeve, dyshimet ndaj shqiptarit mbeten pjesë e procesit hetimor.


