Mbretëria e Bashkuar do të akordojë deri në 5 milionë paund për vendet e Ballkanit Perëndimor, për të luftuar emigracionin e paligjshëm dhe krimin e organizuar. Në këtë paketë financiare përfshihet edhe Shqipëria, ndërsa synimi është forcimi i bashkëpunimit mes institucioneve dhe goditja e rrjeteve kriminale që shfrytëzojnë emigrantët.
Paketa e re u njoftua nga ministri britanik i Shtetit për Evropën, Lord Wood of Anfield, gjatë Samitit të Procesit të Berlinit, që po zhvillohet në Mal të Zi.
Financimi do të përdoret për trajnime, ofrimin e ekspertizës britanike dhe përmirësimin e shkëmbimit të informacionit mes autoriteteve të vendeve të rajonit. Këto masa synojnë të rrisin kapacitetet për të identifikuar dhe goditur organizatat kriminale, si dhe për të parandaluar shfrytëzimin e personave që përpiqen të kalojnë kufijtë në mënyrë të paligjshme.
Gjatë deklaratës së tij në Budva, ministri britanik theksoi se bandat kriminale kanë përfituar prej kohësh nga situata në rajon, duke shfrytëzuar njerëzit më të pambrojtur dhe duke vënë në rrezik jetën e tyre. Sipas tij, financimi i ri do të ndihmojë në forcimin e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë dhe në rritjen e sigurisë në Evropë.
Sipas njoftimit të shpërndarë për mediat, pajisjet dhe trajnimet e financuara nga Londra kanë ndihmuar autoritetet e Ballkanit Perëndimor të kryejnë më shumë se 100 ndërhyrje ndaj emigrantëve që prej qershorit 2026. Po ashtu, këto masa kanë kontribuar në goditjen e disa grupeve kriminale.
Mbështetja e re do të shërbejë edhe për punën e Task-Forcës së Përbashkët të Emigracionit (JMTF), e cila bashkon specialistë nga vende të ndryshme për të zbuluar, parandaluar dhe ndërprerë veprimtaritë e paligjshme të emigracionit. Kjo strukturë ka zhvilluar operacione në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi dhe Maqedoninë e Veriut.
Qeveria britanike ka bërë të ditur se do të vijojë bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë për të goditur rrjetet e trafikimit dhe për të identifikuar organizatorët e kalimeve të paligjshme përpara se aktiviteti i tyre të rrezikojë jetë të tjera.


