
Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Greqia njoftuan të enjten 18 memorandume mirëkuptimi, marrëveshje dhe partneritete tregtare me vlerë 12,75 miliardë euro, ndërsa Abu Dhabi bëri të ditur se planifikon të investojë edhe 15 miliardë euro të tjera në Greqi.
Marrëveshjet u njoftuan gjatë Forumit Strategjik Emiratet e Bashkuara Arabe–Greqi, të mbajtur në Athinë, ku morën pjesë princi i kurorës së Abu Dhabit, Sheikh Khaled bin Mohamed bin Zayed Al Nahyan, dhe kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, bëri të ditur Zyra e Medias e Abu Dhabit.
Plani për investimet shtesë vjen në vijim të një nisme të përbashkët investimi që dy vendet kanë tashmë, thuhet në njoftimin e zyrës.
Sheikh Khaled zhvilloi gjithashtu bisedime me Mitsotakis për të shqyrtuar mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit dypalësh në fusha që përfshijnë energjinë, infrastrukturën dhe kujdesin shëndetësor, shkruan Ekathimerini.
Fondet e reja do t’i shtohen shumës prej 4 miliardë eurosh të angazhuar në vitin 2022 në kuadër të nismës së përbashkët të investimeve, njoftoi Zyra e Medias e Abu Dhabit në një deklaratë, pa bërë të ditur investimet konkrete.
Vitin e kaluar, kompania e energjisë së rinovueshme e Emirateve të Bashkuara Arabe, Masdar, njoftoi se kishte blerë plotësisht kompaninë greke Terna Energy, pasi në vitin 2024 kishte blerë 70% të aksioneve të saj, në një transaksion që e vlerësonte kompaninë në 3,2 miliardë euro.