Pas publikimit të pamjeve ku dy persona shfaqen duke dhunuar një grua që po lypte në pedonalen “Kolë Idromeno” në Shkodër, në redaksinë e JOQ Albania kanë mbërritur informacione të reja për personat e përfshirë.
Një qytetar nga Shkodra ka dërguar në redaksinë tonë foto të dy personave që, sipas tij, janë Bledar Fikaj dhe Fred Malsia, të cilët shfaqen në pamjet e dhunës ndaj gruas në pedonale. Sipas qytetarit, Bledar Fikaj (djali i ri në foto) është personi që shihet duke goditur gruan me rrip, ndërsa Fred Malsia është personi tjetër që përfshihet në konflikt.
Denoncuesi shprehet se të dy njihen në zonën e Pedonales dhe i përshkruan si problematikë për personat që frekuentojnë këtë pjesë të qytetit. Ai pretendon gjithashtu se njëri prej tyre ka probleme të shëndetit mendor, por ky informacion nuk është i konfirmuar nga burime zyrtare.
Qytetari thotë se e njeh personalisht gruan që u dhunua dhe se shpesh e ndihmon duke i dhënë ushqime.
Identiteti dhe roli i personave të identifikuar nga denoncuesi mbeten për t’u verifikuar nga autoritetet. JOQ Albania i bën thirrje Policisë së Shkodrës të verifikojë pamjet dhe informacionet e mbërritura në redaksi, të sqarojë rrethanat e ngjarjes dhe të marrë masat përkatëse.