Lewis Hamilton i plotëson 55 kriteret? Deklarata e Kim Kardashian që tërhoqi vëmendjen

22/10/2026 21:28

Kim Kardashian ka tërhequr sërish vëmendjen e publikut me deklaratat e saj për jetën sentimentale, duke lënë të kuptohet se marrëdhënia me pilotin e Formula 1, Lewis Hamilton, po shkon në drejtimin e duhur.

Në episodin më të fundit të reality show-t “The Kardashians”, ylli amerikan nuk e përmendi drejtpërdrejt emrin e Hamiltonit, por zbuloi se personi me të cilin është aktualisht në një lidhje i plotëson të gjitha 55 kriteret që ajo kërkon te partneri ideal.

Deklarata u bë gjatë një bisede me aktoren dhe komedianen, Nikki Glaser, në kuadër të xhirimeve për filmin e ri “The Fifth Wheel”. Kardashian foli për listën e saj të kritereve për një partner dhe pranoi se personi që ka në krah i përmbush të gjitha kërkesat.

E pyetur se si ndihet kur gjen dikë që përputhet plotësisht me pritshmëritë e saj, Kim u përgjigj se është “shumë, shumë e lumtur”, duke lënë të kuptohet se po përjeton një periudhë të veçantë në jetën personale.

Një tjetër detaj që nxiti komentet ishte deklarata e Kardashian se 44 për qind e prejardhjes së saj është britanike. Kjo u interpretua nga ndjekësit si një aludim i mundshëm ndaj Lewis Hamiltonit, i cili garon me numrin 44.

Thashethemet për një lidhje mes tyre nisën në fillim të vitit 2026. Që prej asaj kohe, dyshja është përfolur gjithnjë e më shumë, ndërsa shfaqjet e tyre të përbashkëta kanë shtuar interesin e mediave dhe fansave.

Kim është parë gjithashtu duke mbështetur pilotin britanik në aktivitete të Formula 1, përfshirë Çmimin e Madh të Singaporit. Ylli televiziv është nënë e katër fëmijëve nga martesa me reperin e famshëm, Kanye West, me të cilin u nda në vitin 2021.

Në deklaratat e mëparshme, Kardashian kishte treguar se nuk ndiente presion për të nisur menjëherë një marrëdhënie të re dhe se i nevojitej kohë për të gjetur ekuilibrin mes jetës personale dhe karrierës. Tashmë, pohimi se partneri i saj përmbush të gjitha 55 kriteret e mashkullit ideal ka shtuar kureshtjen rreth jetës së saj sentimentale dhe ka rikthyer në qendër të vëmendjes raportin e përfolur me Lewis Hamiltonin.

Top Channel