Me 77 vota pro dhe asnjë kundër, Kuvendi miratoi ndryshimet në ligjin për të drejtat e autorit, duke vendosur detyrime të reja për platformat ndërkombëtare që operojnë në Shqipëri. Sipas ndryshimeve, shërbime si YouTube, Facebook dhe TikTok do të duhet të kenë një përfaqësues ligjor në vend nëse nuk kanë seli në Shqipëri.
Projektligji, që ndryshon ligjin e vitit 2016 për të drejtat e autorit, u miratua në seancën plenare sipas draftit përfundimtar të paraqitur nga Komisioni për Kulturën dhe Turizmin, i drejtuar nga deputetja demokrate Ina Zhupa. Megjithatë, Zhupa nuk mori pjesë në votim, në kuadër të bojkotit të opozitës.
Ndryshimet parashikojnë që platformat digjitale të marrin autorizimin e nevojshëm për përdorimin e veprave të mbrojtura nga e drejta e autorit dhe të ndërhyjnë kur konstatohen shkelje. Synimi është të rritet përgjegjësia e shërbimeve online dhe të garantohet mbrojtje më e mirë për krijuesit shqiptarë.
Ligji i ri forcon gjithashtu të drejtat e autorëve në marrëdhëniet kontraktore. Krijuesit do të kenë të drejtë të marrin informacion mbi mënyrën se si përdoren veprat e tyre dhe të ardhurat që ato gjenerojnë. Në rastet kur shpërblimi konsiderohet i padrejtë, ata do të mund të kërkojnë rishikimin e kontratës.
Ndryshime parashikohen edhe në administrimin kolektiv të të drejtave të autorit, me synimin për të nxitur konkurrencën dhe për t’u dhënë krijuesve më shumë mundësi zgjedhjeje për administrimin e të drejtave të tyre.
Pas miratimit të projektligjit, ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxha, njoftoi se do të riorganizohet struktura përgjegjëse për të drejtën e autorit në ministri. Sipas tij, do të krijohet një strukturë e dedikuar për mbrojtjen e të drejtave të autorit në mjedisin digjital, e cila do të plotësohet me 11 punonjës shtesë.
Përmes këtyre ndryshimeve synohet të forcohet zbatimi i rregullave për të drejtën e autorit, të rritet përgjegjësia e platformave ndërkombëtare dhe të sigurohet mbrojtje më e madhe për autorët dhe krijuesit, në përputhje me standardet evropiane.


