Vendosni fjalën kyçe....

Protestat/ Mesazhet e forta të tre Senatorëve e gjashtë Kongresmenëve amerikanë


Tre Senatorë e gjashtë Kongresmenë amerikanë kanë dënuar dhunën jopropocionale të policisë ndaj protestuesve ndërsa kanë kërkuar respektimin e së drejtës për protesta, luftë kundër korrupsionit, sundim të ligjit e dëgjim të kërkesave të të rinjve e qytetarëve që protestojnë.

Ata janë nga të dy kahet e politikës amerikane ndërsa i bëjnë thirrje qeverisë së kryeministrit Rama që të frenojë menjëherë dhunën.

Senatorët

1. Elissa Slotkin (Demokrate)

20 tetor 2026

Senatorja Slotkin tha se kishte marrë telefonata nga banorë të Miçiganit të shqetësuar për përshkallëzimin e dhunës në Shqipëri dhe në vende të tjera evropiane. Ajo kërkoi respektimin e shtetit të së drejtës, mbrojtjen e protestuesve nga përdorimi i tepruar i forcës policore, luftën kundër korrupsionit dhe uljen e tensioneve nga të gjitha palët.

Deklarata në X

“Gjatë ditëve të fundit, kam marrë telefonata të shumta nga qytetarë të Miçiganit, të shqetësuar për përshkallëzimin e dhunës në Shqipëri dhe në disa vende të tjera evropiane. Populli shqiptar ka të drejtë të protestojë në mënyrë paqësore dhe të kërkojë llogari nga zyrtarët e zgjedhur. Po kështu, qeveria shqiptare ka detyrimin të garantojë sundimin e ligjit, të mbrojë protestuesit nga përdorimi i tepruar i forcës nga policia, të luftojë korrupsionin dhe t’u përgjigjet shqetësimeve të qytetarëve. I bëj thirrje të dyja palëve të bëjnë gjithçka që munden për të ulur tensionet dhe për të gjetur një rrugë paqësore për të ecur përpara.”

2. Chris Murphy (Demokrat)

20 tetor 2026
Anëtari i Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë mbështeti të drejtën e shqiptarëve për të protestuar paqësisht. Ai kërkoi që qeveria të ndërmarrë menjëherë hapa për uljen e tensioneve dhe adresimin e shqetësimeve të protestuesve, duke përfshirë rishqyrtimin e projektit të zhvillimit në Vjosë-Nartë, të mbështetur nga familjet Kushner dhe Trump.

Deklarata në X

“E mbështes fuqimisht të drejtën e shqiptarëve për të protestuar në mënyrë paqësore. Megjithatë, aktet e fundit të dhunës po bëjnë që situata të dalë jashtë kontrollit. Qeveria shqiptare duhet të ndërmarrë hapa të menjëhershëm për të ulur tensionet dhe për të trajtuar shqetësimet legjitime të protestuesve, përfshirë rishqyrtimin e projektit të debatueshëm të zhvillimit në Vjosë-Nartë, të mbështetur nga familjet Kushner dhe Trump.”

3. Gary Peters (Demokrat)

19 tetor 2026

Senatori amerikan i mbështetur nga Sorosa, Gary Peters, i ka bërë thirrje kryeministrit Rama të përmbahet nga përdorimi i forcës ndaj protestuesve paqësorë, ndërsa bën thirrje për uljen e tensioneve dhe parandalimin e dhunës së mëtejshme. Ai thekson se Michigan është shtëpia e një komuniteti të fuqishëm shqiptaro-amerikan ndërsa shton se populli shqiptar meriton një qeveri që respekton të drejtat themelore dhe zbaton shtetin e së drejtës.

Deklarata në X

“Jam thellësisht i shqetësuar për përshkallëzimin e situatës në Shqipëri. Autoritetet vendore duhet të përmbahen nga përdorimi i forcës ndaj protestuesve paqësorë, ndërsa të gjithë personat në terren duhet të punojnë për uljen e tensioneve dhe parandalimin e dhunës së mëtejshme. Michigan-i është shtëpia e një komuniteti të fuqishëm dhe aktiv të shqiptaro-amerikanëve, ndaj e di se këto zhvillime janë një çështje shumë personale për shumë banorë të këtij shteti. Populli shqiptar meriton një qeveri që respekton të drejtat themelore dhe zbaton shtetin e së drejtës. Për këtë arsye, do të vazhdoj të mbështes paqen dhe drejtësinë për të gjithë shqiptarët.” – shkruan Peters në X.

 

Kongresmenët

1. Joe Wilson (Republikan)

17 tetor 2026

Kongresmeni republikan Joe Wilson shprehu shqetësim për përshkallëzimin e krizës në Shqipëri, duke kërkuar që qeveria të përmbahet nga dhuna ndaj protestuesve dhe duke theksuar se të rinjtë duhet të kenë zë në të ardhmen e vendit.

Deklarata në X

“Po e ndjek me shqetësim të madh përshkallëzimin e krizës në Shqipëri, një vend aleat në NATO. Populli shqiptar meriton liri, sundim të ligjit dhe llogaridhënie institucionale. Qeveria duhet të përmbahet nga çdo formë dhune ndaj protestuesve. Të rinjtë meritojnë të kenë zërin e tyre në përcaktimin e së ardhmes së vendit.”

2. Robert Aderholt (Republikan)

17 tetor 2026

Kongresmeni republikan Robert Aderholt kërkoi që të gjitha palët të refuzojnë dhunën, ndërsa qeveria të respektojë të drejtat e protestuesve paqësorë. Ai theksoi gjithashtu përgjegjshmërinë institucionale dhe rolin e të rinjve.

Deklarata në X

“Jam thellësisht i shqetësuar për përshkallëzimin e trazirave në Shqipëri, vend aleat në NATO. Populli shqiptar meriton sundimin e ligjit, institucione llogaridhënëse dhe lirinë për të shprehur zërin e tij. Të gjitha palët duhet të refuzojnë dhunën, ndërsa qeveria duhet të respektojë të drejtat e protestuesve paqësorë. Të rinjtë shqiptarë meritojnë të kenë zërin e tyre në përcaktimin e së ardhmes së vendit.”

3. Keith Self (Republikan)

17 tetor 2026

Kongresmeni republikan Keith Self i lidhi protestat me mosbesimin e qytetarëve ndaj politikanëve të korruptuar dhe me pakënaqësinë për mosrespektimin e shtetit të së drejtës. U bëri thirrje udhëheqësve shqiptarë të dëgjojnë kërkesat për ndryshime thelbësore, mundësi ekonomike dhe stabilitet rajonal.

Deklarata në X

“Protestat në Shqipëri janë kulmi i mosbesimit të qytetarëve ndaj politikanëve të korruptuar dhe i lodhjes së tyre nga shpërfillja e plotë e shtetit të së drejtës. Udhëheqësit e Shqipërisë duhet t’u kushtojnë vëmendje thirrjeve për ndryshime thelbësore, të cilat do të krijojnë mundësi ekonomike dhe do të nxisin stabilitetin rajonal.”

4. Alexandria Ocasio-Cortez (Demokrate)

22 tetor 2026

Ajo tha se kishte marrë mesazhe nga pjesëtarë të komunitetit shqiptaro-amerikan, të shqetësuar për sigurinë e familjarëve të tyre në Shqipëri. Kërkoi uljen e tensioneve, ndalimin e asaj që e cilësoi si represion të dhunshëm ndaj protestuesve dhe respektimin e lirisë së shprehjes.

Deklarata në X

“I bëj thirrje qeverisë shqiptare të ulë tensionet, të ndalë shtypjen e dhunshme të protestuesve dhe të respektojë lirinë e shprehjes së qytetarëve shqiptarë.”

5. Ritchie Torres (Demokrat)

22 tetor 2026

Ai shprehu shqetësim për dhunën ndaj protestuesve dhe kërkoi uljen e tensioneve. Në reagimin e raportuar nga mediat, theksoi se policia duhet të respektojë të drejtën e shqiptarëve për të protestuar paqësisht dhe shtetin e së drejtës.

Deklarata në X

“Shqiptarët kanë të drejtën të protestojnë në mënyrë paqësore. Policia duhet të respektojë të drejtën e protestuesve për të protestuar dhe të garantojë zbatimin e shtetit të së drejtës.”

6. Mike Lawler (Republikan)

Kongresmeni republikan Mike Lawler i shtohet listës së zyrtarëve amerikanë që i kanë kërkuar qeverisë së kryeministrit Rama të ulë tensionet dhe të ndalë dhunën ndaj protesuesve paqësorë. Ai shkruan se qëndron në krah të popullit shqiptar dhe të lirisë së shprehjes së pikëpamjes së çdo qytetari.

Deklarata në X

“Kam dëgjuar shqetësimet e bashkëkombësve të mi shqiptaro-amerikanë në distriktin e 17-të të Nju-Jorkut (NY-17), të cilët janë thellësisht të shqetësuar për protestat e vazhdueshme në Shqipëri dhe për atë që ato nënkuptojnë për të ardhmen e demokracisë në vend. Unë qëndroj në krah të zgjedhësve të mi dhe të popullit shqiptar.Çdo qeveri, veçanërisht qeveritë e vendeve demokratike dhe aleate të NATO-s, duhet të respektojë të drejtën e qytetarëve të saj për të protestuar në mënyrë paqësore dhe për të shprehur pikëpamjet e tyre. I bëj thirrje qeverisë shqiptare të ulë menjëherë tensionet dhe t’i japë fund përdorimit të forcës kundër protestuesve paqësorë.” – shkruan Lawler në X.