Gazetari Artan Hoxha, i ftuar në emisionin ‘Çim Peka LIVE’ në SYRI TV, vlerësoi nismën e një grupi juristësh dhe avokatësh të pavarur, të cilët po dokumentojnë denoncimet për dhunën policore ndaj protestuesve.
Sipas tij, materialet e mbledhura do t’u referohen organeve të hetimit, përfshirë SPAK-un, si dhe organizatave ndërkombëtare.
Hoxha tha se juristët po mbledhin denoncimet e familjarëve dhe protestuesve që janë shoqëruar, arrestuar apo dhunuar nga policia, si dhe fotografi, video dhe pamje të publikuara në rrjetet sociale dhe në media.
Ai theksoi se i gjithë dokumentacioni do të mblidhet dhe do t’u përcillet institucioneve përkatëse, edhe nëse policia, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore apo prokuroria nuk i referojnë vetë rastet.
‘Kjo që po bëjnë ky grupi i juristëve dhe avokatëve të pavarur, është një shërbim i jashtëzakonshëm që po i bëjnë vendit. Ata po harxhojnë kohën nga koha e tyre, sigurisht nuk janë paguar për ta bërë këtë gjë.
Këto që dalin e thonë këta që janë paguar me nga 100 mijë lekë protestuesit, le ta gjejnë, le ta nxjerrin. Cili nga ata ka marrë 100 mijë lekë? Cili, nga protestuesit?
Gjithë kjo nismë që është marrë prej tyre, ata janë duke dokumentuar çdo denoncim që është bërë nga familjarët dhe nga protestuesit që janë shoqëruar, arrestuar, dhunuar nga policia. Një. Janë duke marrë çdo pamje që po vjen nga rrjetet sociale, nga mediat.
Të gjitha do të skedohen. Edhe nëse policia, AMP-ja apo ku di unë, prokuroria nuk do t'i referojë, ata do t'i mbledhin bashkë dhe do t'i referojnë. Dhe akuza finale ka për të shkuar tek ai që e ka qejf përgjegjësinë penale jo kolektive, te kryeministri.
Të gjitha këto raste do të shkojnë, ato që do vlerësohen që janë për SPAK, sidomos strukturat drejtuese, do të dërgohen në SPAK. Çdo deklaratë që është bërë këto ditë, e cila është në shkelje të ligjit, e cila ka motivuar aktet e dhunës, e cila ka justifikuar, ka fshehur, ka mbuluar dhe sidomos vendimi i menjëhershëm i qeverisë për të shpërblyer njerëzit që kanë ushtruar dhunë, edhe ajo është një vepër penale dhe do t'i drejtohet organeve të hetimit.
Por gjëja më e mirë që po bëjnë ata avokatë dhe juristë, e di kush është? Dokumentimi që po bëjnë ata do t'u dërgohet organizatave ndërkombëtare. Që ata jashtë mos ta kenë parasysh se çfarë ka ndodhur në të vërtetë. Çdo fotografi, çdo video, çdo filmim... dhe u bëj thirrje çdo protestuesi apo qytetari që ka qenë dhe ka video të tilla, t'i vërë në dispozicion të këtij grupi juristësh, sepse kjo do të kthehet nesër dhe ky dokumentacion do na çojë te lista që thotë ky.
Atë çmendurinë që bën kryeministri, që u thotë 'juve, prindërit tuaj do paguajnë dëmin'. E imiton Melonin, prandaj thoshte për trenin ai se e ka Meloni trenin, po ky s'e di që ne s'kemi trena. Treni ka ngelur te treni i zhavorrit.’, theksoi gazetari Artan Hoxha në SYRI TV.
© SYRI.net