Përfaqësues të Shoqatës Kulturore Shqiptare në Irlandë (ACAI) u takuan me Barry Ward, kryetar i Komisionit të Përbashkët për Çështjet e Bashkimit Europian, Ruairí Ó Murchú, anëtar i këtij komisioni, dhe deputetin Roderic O’Gorman, kryetar i Partisë së Gjelbër. Komisioni mbikëqyr politikën europiane të qeverisë irlandeze dhe shqyrton çështjet e zgjerimit të BE-së.

Përfaqësia ngriti shqetësimet për korrupsionin në nivelet e larta të qeverisjes në Shqipëri, dhunën ndaj protestuesve dhe respektimin e lirive e të drejtave të njeriut.
Profesionistët shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Irlandë kërkuan që zëri i qytetarëve të dëgjohet dhe e drejta për të protestuar paqësisht të mbrohet. Sipas tyre, korrupsioni dhe keqqeverisja rëndojnë jetën e qytetarëve dhe thellojnë mosbesimin ndaj institucioneve. Shqipërisë i duhen ndryshime që sjellin llogaridhënie dhe mirëqenie.
Përfaqësia theksoi se kjo nismë buron nga shqetësimi qytetar, pa synime për përfaqësim politik. Ajo mbështet integrimin europian të Shqipërisë, të shoqëruar me luftë reale kundër korrupsionit, qeverisje të përgjegjshme dhe respektim të të drejtave.
Gjatë dialogut, përfaqësuesit kërkuan që Irlanda, e cila mban Presidencën e Këshillit të BE-së, t’i ngrejë këto shqetësime dhe t’u kërkojë llogari autoriteteve shqiptare.
Sipas përfaqësisë, deputetët kërkuan dokumentin e përgatitur me burimet dhe rastet e paraqitura gjatë bisedës. Shoqata e vlerësoi pozitiv takimin, të parin të kësaj natyre për të.m.k





