Një debat i ashpër për protestat dhe situatën në vend ka përfshirë gazetarin Lutfi Dervishi dhe ministrin e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, në emisionin “Off the Record” në A2CNN.
Diskutimi u përqendrua te tensionet në rrugë, përgjegjësia për përshkallëzimin e situatës dhe shkaqet që kanë nxitur qytetarët të protestojnë.
Dervishi paralajmëroi se përplasjet po e çojnë shoqërinë drejt një situate me pasoja të gjera, duke argumentuar se vendi ka nevojë për qetësi dhe një zgjidhje. Gonxhja reagoi duke e lidhur situatën me Këshillin Kombëtar të Partisë Demokratike dhe duke i cilësuar protestuesit e përfshirë në akte dhune si “vandalë” dhe “halabakë”.
Përplasja mes tyre u ashpërsua kur gazetari vuri në pikëpyetje aftësinë e shtetit për të kontrolluar situatën, duke deklaruar se pamundësia për të menaxhuar një grup prej rreth 100 personash do të tregonte dobësi institucionale.
“Ke ngritur një shtet letre në qoftë se nuk bën dot zap 100 veta!”, iu drejtua Dervishi ministrit.
Nga ana e tij, Gonxhja këmbënguli te prania e personave që, sipas tij, shkaktojnë dhunë gjatë protestave, duke përmendur edhe përdorimin e mjeteve piroteknike. Ai argumentoi se në rrugë ndodhen persona që nuk do të mund të hynin në Parlament për shkak të kontrolleve të sigurisë.
Përtej përplasjes për rendin publik, Dervishi solli në vëmendje edhe arsyet sociale që, sipas tij, ushqejnë pakënaqësinë qytetare. Ai veçoi koston e lartë të jetesës, duke theksuar vështirësitë e të rinjve që vijnë në Tiranë dhe nuk arrijnë të përballojnë shpenzimet. Arrogancën dhe korrupsionin i renditi gjithashtu ndër shqetësimet që mund të nxisin reagimin e qytetarëve.













