Aktori amerikan, Tom Skerritt, i njohur për rolet e tij në filmat e famshëm “Top Gun” dhe “Alien”, ka ndërruar jetë në moshën 93-vjeçare.

Ai vdiq nga shkaqe natyrore të mërkurën, ndërsa lajmin e konfirmoi familja e tij.


Përmes një deklarate prekëse, familjarët shprehën dhimbjen për humbjen e aktorit, duke kujtuar jo vetëm karrierën e tij të jashtëzakonshme, por edhe humorin, mençurinë, bujarinë dhe dashurinë që ai u kishte dhuruar njerëzve të afërt.

Tom Skerrit

Karriera e Skerritt zgjati më shumë se gjashtë dekada, gjatë të cilave ai u bë pjesë e disa prej produksioneve më të njohura të kinematografisë.

Në vitin 1970, u dallua në filmin satirik të luftës “M*A*S*H”, ndërsa në vitin 1979 luajti kapitenin Dallas në filmin fantastiko-shkencor “Alien”, me regji të Ridley Scott.

Një nga rolet më të njohura të tij ishte ai i komandantit Mike “Viper” Metcalf në filmin “Top Gun” të vitit 1986, ku interpretoi instruktorin e pilotëve që trajnonte personazhin e Tom Cruise, Pete “Maverick” Mitchell.

Përveç kinematografisë, Skerritt pati sukses edhe në televizion.

Në vitin 1993, ai fitoi çmimin Emmy për aktorin më të mirë kryesor në një serial dramatik, falë interpretimit të sherifit Jimmy Brock në serialin “Picket Fences”.

Për të njëjtin rol, ai u nominua edhe një vit më pas.

I lindur në Detroit, para se t’i përkushtohej aktrimit, Skerritt kishte shërbyer në Forcat Ajrore të Shteteve të Bashkuara.

Më vonë, ai u angazhua edhe në mbështetjen e veteranëve të luftës, ndërsa familja kujtoi se ai kishte një lidhje të veçantë me natyrën, krijimtarinë dhe rrëfimin e historive. /Telegrafi/