Dëmet e shkaktuara në bizneset e prekura nga protestat e ditëve të fundit në Tiranë vlerësohen në 2,15 milion euro, ndërsa deri tani janë evidentuar 127 subjekte të dëmtuara.
Të dhënat e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve tregojnë se një pjesë e bizneseve janë identifikuar nga kontrollet e kryera në terren, ndërsa të tjerat kanë paraqitur vetë raportimet përmes platformës elektronike “Dëmi im”.
Konkretisht, 55 subjekte janë konstatuar nga grupet e verifikimit të administratës tatimore, ndërsa 72 biznese kanë përdorur shërbimin e dedikuar në portalin “e-Albania” për të deklaruar dëmet e pësuara.
Administrata Tatimore vijon punën për mbledhjen dhe verifikimin e informacionit, përmes 10 grupeve që janë në terren, me synimin për të krijuar një pasqyrë sa më të saktë të dëmeve materiale të shkaktuara në njësitë tregtare.
Në këtë kuadër, bizneset që kanë pësuar dëme ftohen të raportojnë rastet e tyre përmes shërbimit “Dëmi im”, për të kontribuar në dokumentimin e plotë të pasojave të protestave në aktivitetin ekonomik.