Tërmet i fuqishëm në Tibet, të paktën 16 viktima dhe 65 të plagosur

Botë | 1 minutë më parë

Një tërmet me magnitudë 7.0 ka goditur rajonin malor të Tibetit në Kinë, duke shkaktuar të paktën 16 viktima dhe 65 të plagosur, sipas mediave shtetërore kineze.

Lëkundjet, me një thellësi prej rreth 10 kilometrash, goditën të enjten në mbrëmje Qarkun Baqên, në rajonin Nagqu, rreth 400 kilometra në verilindje të kryeqytetit rajonal, Lhasa. Sipas raportimeve, më shumë se 300 banesa janë shembur, ndërsa ndërprerjet e energjisë elektrike kanë prekur një pjesë të madhe të zonës. Autoritetet kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshme dhe kanë angazhuar ekipet e shpëtimit për kërkimin e personave të bllokuar dhe ndihmën ndaj të plagosurve.

Kryeministri kinez Li Qiang ka kërkuar ndërhyrje urgjente për shpëtimin dhe trajtimin mjekësor të të prekurve, si dhe zhvendosjen e banorëve nga zonat e rrezikuara.

Edhe presidenti kinez Xi Jinping ka urdhëruar mobilizimin e operacioneve të shpëtimit, duke kërkuar përpjekje maksimale për të gjetur personat e bllokuar dhe për të minimizuar numrin e viktimave.

“Duhet të bëhen përpjekje të gjithanshme për të kërkuar dhe shpëtuar njerëzit e bllokuar nga tërmeti, për të ofruar trajtim mjekësor për të plagosurit dhe për të minimizuar viktimat. Zona e prekur është në një lartësi të madhe dhe temperaturat janë të ftohta”, thuhet në deklaratën e zyrës së presidentit.

Autoritetet kanë paralajmëruar se kushtet në zonën e prekur janë veçanërisht të vështira për shkak të lartësisë së madhe, temperaturave të ulëta dhe rrezikut nga lëkundjet pasuese. Ekipet e emergjencës po punojnë gjithashtu për dërgimin e furnizimeve dhe riparimin e infrastrukturës së dëmtuar.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme