Media italiane: Shqipëria nuk u ofron të ardhme të rinjve, shqetësim për pagat dhe emigrimin

Mediat italiane kanë rikthyer vëmendjen te situata ekonomike dhe politike në Shqipëri, duke vënë në pah largimin e të rinjve, mungesën e perspektivës për profesionistët e kualifikuar dhe pakënaqësinë që ka nxitur protestat e fundit.
Në një raportim të publikuar, transmetuesi publik italian Rai News, përmes redaksisë rajonale TGR Friuli Venezia Giulia, sjell dëshminë e Ingrid Strattit, gazetare dhe pedagoge e jashtme në Universitetin e Triestes, e cila ka lindur në Shqipëri dhe jeton në Itali prej vitit 1996.
Stratti, e cila u largua nga Shqipëria në moshën 16-vjeçare përmes programit të Kolegjit të Botës së Bashkuar, e përshkruan me shqetësim gjendjen në vendin e saj të origjinës.
Sipas saj, vështirësitë ekonomike dhe mungesa e mundësive për punësim po i shtyjnë shumë qytetarë, veçanërisht të rinjtë, të kërkojnë një të ardhme jashtë vendit, transmeton Telegrafi.
“Situata është e vështirë: paga mesatare është 500 euro, ndërsa kostoja e jetesës është pothuajse si në Itali”, shprehet ajo në intervistën për median italiane.
Duke iu përgjigjur pyetjes nëse shqiptarët vazhdojnë të emigrojnë, Stratti thotë se largimi nga vendi mbetet një fenomen i rëndësishëm. Ajo i referohet të dhënave sipas të cilave rreth një milion persona janë larguar nga Shqipëria, duke theksuar se në mesin e tyre ka shumë të rinj me arsim të lartë dhe profesionistë që nuk arrijnë të gjejnë punë në vendin e tyre.
Sipas saj, profili i emigrantëve ka ndryshuar krahasuar me vitet ’90.
Nëse në atë periudhë largoheshin kryesisht punëtorë krahu, sot një pjesë e konsiderueshme e atyre që emigrojnë janë të rinj të arsimuar, përfshirë mjekë, inxhinierë dhe profesionistë të tjerë të kualifikuar.
Stratti e njeh nga afër këtë fenomen edhe përmes punës së saj kërkimore, e cila është përqendruar te integrimi në Itali i grave migrante me kualifikime të larta.
Ajo vëren se humbja e profesionistëve përbën një shqetësim të rëndësishëm për Shqipërinë, pasi shumë prej tyre nuk shohin mundësi të mjaftueshme për zhvillim profesional dhe një jetë më të mirë në vendin e origjinës.
Raportimi ndalet edhe te komuniteti shqiptar në rajonin italian Friuli Venezia Giulia.
Sipas shifrave të përmendura nga Rai News, rreth 1.500 persona me origjinë shqiptare jetojnë në Trieste, ndërsa në të gjithë rajonin numri arrin në rreth 15 mijë.
Përtej jetës së tyre në Itali, kjo diasporë vazhdon ta ndjekë me shqetësim zhvillimin e situatës në Shqipëri. Sipas Strattit, një pjesë e komunitetit shpreson që vendi të krijojë kushte më të mira ekonomike dhe shoqërore, në mënyrë që të rinjtë të mos detyrohen të largohen për të ndërtuar të ardhmen e tyre.
Në të njëjtën kohë, protestat e fundit në Shqipëri kanë nxitur reagime edhe në radhët e akademikëve.
Rai News raporton se 963 akademikë kanë nënshkruar një letër ku kërkojnë dorëheqjen e qeverisë dhe marrjen në konsideratë të kërkesave të protestuesve.
Stratti e përshkruan lëvizjen protestuese si një nismë që vjen nga poshtë dhe që, sipas saj, nuk identifikohet me një ngjyrë të caktuar politike. Ajo thekson se të rinjtë kërkojnë transparencë, ndërsa qytetarët që jetojnë jashtë qendrave kryesore urbane duan të kenë mundësi të qëndrojnë në vendin e tyre, pa u detyruar të emigrojnë për shkak të mungesës së perspektivës.
Raportimi i medias publike italiane e vendos kështu emigrimin dhe pakënaqësinë e të rinjve në qendër të debatit për të ardhmen e Shqipërisë.
Përtej protestave dhe zhvillimeve politike, dëshmia e Strattit ngre një çështje thelbësore: krijimin e kushteve ekonomike dhe profesionale që do t’u mundësonin qytetarëve, veçanërisht brezit të ri, të ndërtonin jetën e tyre në vendlindje./Telegrafi/







































