Në ditët e fundit të shtatorit, kryeministri Edi Rama, deklaroi se telefoni celular nuk duhet të konsiderohej më si një portë e hapur për shtetin drejt jetës private të individëve.
Ai e përshkroi pajisjen si “arkivin e jetës së një njeriu” dhe u zotua për garanci të reja ligjore që do ta mbronin nga ndërhyrjet arbitrare.
Të lidhura
None found
Vetëm tre javë pas kësaj deklarate, teksa forcat e rendit mundoheshin të mbanin nën kontroll trazirat gjatë protestave kundër qeverisë, disa të rinj të arrestuar, mes tyre edhe të mitur, pohuan se policët u kishin kërkuar të hapnin telefonat e tyre dhe të tregonin përmbajtjen personale, pa pasur ndonjë urdhër nga gjykata.
Këto dëshmi, të përcjella nga Avokati i Popullit, kanë vënë në dyshim ligjshmërinë e sjelljes së policisë dhe kanë ekspozuar kontrastin mes premtimeve për mbrojtjen e privatësisë që qeveria synon të kodifikojë në ligj — të cilat, sipas kritikëve, kanë për qëllim të mbrojnë zyrtarë të lartë të hetuar nga SPAK — dhe praktikës reale të autoriteteve ndaj qytetarëve në terren.
Pamjet e publikuara në platformat sociale gjatë protestave të fundit në kryeqytet shfaqin punonjës policie që u sekuestrojnë celularët personave të ndaluar, duke ngjallur pyetje rreth bazës juridike të këtyre veprimeve dhe deri ku shtrihen kompetencat e policisë.
Këto ngjarje ndodhin në një sfond kritikash për përdorim të tepruar të forcës ndaj protestuesve, përfshirë adoleshentët, si dhe për mënyrën se si policia vepron gjatë arrestimeve.
Fakti që protestuesve u është kërkuar të zhbllokojnë pajisjet e tyre pa një autorizim të qartë ligjor shtron pyetjen nëse forcat e rendit kanë vepruar brenda kompetencave që u njeh ligji.
Në një raportim të së martës mbi respektimin e të drejtave të njeriut nga ana e policisë gjatë demonstratave, Avokati i Popullit bëri të ditur se një nga shkeljet e pretenduara kishte të bënte pikërisht me përpjekjet për të kontrolluar telefonat e personave të ndaluar.
“Disa të mitur dhe të rritur treguan se u ishte kërkuar të hapnin celularët dhe të lejonin shqyrtimin e të dhënave vetjake, pa vendim gjykate, madje edhe në mungesë të ndonjë akuze nga prokuroria”, deklaroi Ahmet Prençi, komisioner dhe drejtues i Mekanizmit Kombëtar për Parandalimin e Torturës.
Institucioni thekson se e drejta për jetë private dhe korrespondencë gëzon mbrojtje nga neni 8 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, dhe se çdo ndërhyrje në këtë të drejtë duhet të mbështetet në ligj, të jetë e nevojshme dhe proporcionale.
Edhe legjislacioni penal përcakton kushte për kontrollin dhe sekuestrimin e të dhënave elektronike, duke vendosur caqe për mënyrën se si autoritetet mund të aksesojnë përmbajtjen e pajisjeve personale.
Ligjshmëria e një veprimi të tillë varet nga rrethanat specifike, kompetencat e organit që procedon dhe autorizimet e kërkuara me ligj. Në mungesë të këtyre kushteve, kontrolli mund të konsiderohet si ndërhyrje e paligjshme në jetën private.
Përfaqësues të shoqërisë civile paralajmërojnë se kontrolli i celularëve të protestuesve nga policia, pa autorizimin e duhur ligjor, mund të përbëjë cenim të privatësisë dhe shkelje të procedurave penale.
Avokati Gent Serjani, që drejton Qendrën për Drejtësi Sociale, thekson se ligjshmëria e këtyre veprimeve varet nga baza juridike dhe respektimi i procedurave.
“Marrja e celularit dhe shqyrtimi i fotografive, videove apo përmbajtjeve të tjera private që ndodhen në të, pa autorizimin përkatës ligjor dhe pa ndjekur procedurat e parashikuara nga legjislacioni në fuqi, mund të konsiderohen si ndërhyrje e paligjshme në jetën private”, u shpreh ai për BIRN, duke shtuar se ligjshmëria e këtyre veprimeve duhet gjykuar në bazë të rrethanave konkrete, kompetencave ligjore të organeve proceduese dhe autorizimeve që kërkon ligji.
Sipas Serjanit, mbrojtja e jetës private dhe e të dhënave personale garantohet nga legjislacioni shqiptar dhe aktet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.
“Për këtë arsye, çdo ndërhyrje e autoriteteve publike në këtë të drejtë duhet të ketë bazë ligjore, të ndjekë një qëllim të ligjshëm dhe të jetë në përputhje me parimin e proporcionalitetit”, theksoi ai.
Për Rigels Xhemollarin, nga qendra Qëndresa Qytetare, këto veprime përbëjnë tejkalim flagrant të kompetencave nga ana e policisë dhe një çështje që kërkon hetim nga prokuroria dhe përgjegjësi për veprimet e kryera.
“Kjo është shkelje e procedurës penale dhe duhet të ketë hetim zinxhir nga prokuroria, sepse policia i ka tejkaluar kompetencat e veta pa vendim gjykate“, tha ai.
“Policia ka dalë jashtë kornizave të ligjit, po funksionon me urdhra politikë dhe vetëm përmes vendimeve gjyqësore e shembujve ndëshkues mund të rikthehet te shteti i së drejtës”, përfundoi Xhemollari.






