Policia kritikohet për kontrollin e telefonave të protestuesve në shkelje të ligjit
Në fund të shtatorit, kryeministri Edi Rama paralajmëroi se telefoni celular nuk mund të trajtohej më si një derë e hapur për shtetin drejt jetës private të qytetarëve.
Ai e quajti atë “arkivin e jetës së një njeriu” dhe premtoi garanci të reja ligjore për ta mbrojtur nga kontrollet arbitrare.
Raportimet për kontrollin e telefonave
Tre javë më vonë, ndërsa policia përpiqej të shtypte trazirat që shoqëruan protestat kundër qeverisë së tij, disa prej të rinjve të ndaluar, përfshirë të mitur, treguan se efektivët u kishin kërkuar të zhbllokonin telefonat dhe të ekspozonin përmbajtjen e tyre personale, pa vendim gjykate.
Dëshmitë, të raportuara nga Avokati i Popullit, kanë ngritur pikëpyetje mbi ligjshmërinë e veprimeve të policisë dhe kanë nxjerrë në pah hendekun mes garancive për privatësinë që qeveria premton të sanksionojë në ligj – të cilat, sipas kritikëve, synojnë të mbrojnë zyrtarët e lartë nën hetim nga SPAK – dhe mënyrës se si autoritetet ushtrojnë pushtetin e tyre mbi qytetarët në rrugë.
Pamjet e shpërndara në rrjetet sociale gjatë protestave të ditëve të fundit në Tiranë tregojnë efektivë të policisë që u marrin telefonat celularë personave të ndaluar, duke ngritur pikëpyetje mbi bazën ligjore të këtyre veprimeve dhe kufijtë e kompetencave të policisë.
Kritika për përdorimin e forcës
Këto episode vijnë në një kontekst kritikash për përdorimin joproporcional të forcës ndaj protestuesve, përfshirë të miturit, dhe për mënyrën se si policia ndërhyn gjatë ndalimeve.
Raportimet se protestuesve u është kërkuar të zhbllokojnë pajisjet e tyre pa një autorizim të qartë ligjor ngrenë çështjen nëse policia ka vepruar brenda kompetencave të përcaktuara nga ligji.
Deklarata e Avokatit të Popullit
Gjatë një raportimi të martën për situatën e respektimit të të drejtave të njeriut nga policia gjatë protestave, Avokati i Popullit tha se një nga shkeljet e pretenduara lidhej edhe me përpjekjet e policisë për të kontrolluar telefonat e protestuesve të ndaluar.
“Disa të mitur dhe të rritur raportuan se u është kërkuar të zhbllokojnë telefonat celularë dhe të lejojnë kontrollin e të dhënave personale, pa vendim gjykate, madje edhe kur nuk kishte akuzë të ngritur nga prokuroria”, tha Ahmet Prençi, komisioner dhe drejtues i Mekanizmit Kombëtar për Parandalimin e Torturës.
Institucioni vë në dukje se e drejta për jetën private dhe korrespondencën mbrohet nga neni 8 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe se ndërhyrjet në këtë të drejtë duhet të kenë bazë ligjore, të jenë të domosdoshme dhe proporcionale.
Edhe procedurat penale parashikojnë kushte për kontrollin dhe marrjen e të dhënave elektronike, duke vendosur kufij për mënyrën se si autoritetet mund të hyjnë në përmbajtjen e pajisjeve personale.
Ligjshmëria e një veprimi të tillë varet nga rrethanat konkrete, kompetencat e organit procedues dhe autorizimet që kërkon ligji. Nëse këto kushte nuk janë përmbushur, kontrolli mund të përbëjë ndërhyrje të paligjshme në jetën private.
Reagimet e shoqërisë civile
Përfaqësues të shoqërisë civile paralajmërojnë se kontrolli i telefonave celularë të protestuesve nga policia, pa autorizimin e nevojshëm ligjor, mund të përbëjë ndërhyrje të paligjshme në privatësi dhe shkelje të procedurave penale.
Avokati Gent Serjani, drejtues i Qendrës për Drejtësi Sociale, vë në dukje se ligjshmëria e këtyre veprimeve varet nga baza ligjore dhe respektimi i procedurave.
“Marrja e telefonit celular dhe kontrollimi i fotografive, videove apo përmbajtjeve të tjera private që gjenden në të, pa autorizimin përkatës ligjor dhe pa respektuar procedurat e parashikuara nga legjislacioni në fuqi, mund të përbëjnë ndërhyrje të paligjshme në jetën private”, tha ai për BIRN, duke shtuar se ligjshmëria e këtyre veprimeve duhet të vlerësohet në bazë të rrethanave konkrete, kompetencave ligjore të organeve proceduese dhe autorizimeve të kërkuara nga ligji.
Sipas Serjanit, e drejta për respektimin e jetës private dhe mbrojtjen e të dhënave personale garantohet nga legjislacioni shqiptar dhe nga aktet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.
“Për këtë arsye, çdo ndërhyrje e autoriteteve publike në këtë të drejtë duhet të ketë një bazë ligjore, të ndjekë një qëllim të ligjshëm dhe të jetë në përputhje me parimin e proporcionalitetit”, theksoi ai.
Për Rigels Xhemollarin, nga qendra Qëndresa Qytetare, këto veprime përbëjnë haptazi tejkalim të kompetencave nga policia dhe një çështje që kërkon hetim nga prokuroria dhe përgjegjësi për veprimet e kryera.
“Shkelje e procedurës penale dhe duhet të ketë hetim zinxhir nga prokuroria pasi kanë tejkaluar kompetencat e veta policia pa vendim gjykate”, tha ai.
“Policia ka dalë nga bunarët e ligjit, po funksionon me urdhra politike dhe vetëm me vendime gjyqësore dhe shembuj ndëshkimi mund të kthehet tek shteti i së drejtës”, përfundoi Xhemollari./BIRN
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



