Michael Carrick do të jetë në krye të Manchester United në ndeshjen kundër Bournemouth të dielën, por mes drejtuesve të klubit ka një shqetësim në rritje lidhur me formën e dobët të skuadrës.
Si brenda, ashtu edhe jashtë “Old Trafford”, ekziston përshtypja se ndeshja e së dielës në Premier League mund të jetë vendimtare për të ardhmen e Carrick. Nuk është marrë ende asnjë vendim për planet pas së dielës, duke pasur parasysh situatën aktuale pas humbjes 4-1 të së mërkurës ndaj Como në Champions League.
Bruno Fernandes nuk do t’i hiqet shiriti i kapitenit pas kritikave që ai bëri ndaj stafit teknik të “djajve të kuq” dhe ka pak gjasa që ai të përballet me ndonjë ndëshkim për komentet e bëra pas humbjes së rëndë në Itali.
Në qendrën stërvitore “Carrington” mbizotëron mendimi se paraqitja dhe rezultati i së mërkurës mbrëma në Champions League ishin të papranueshme, ashtu siç e pranoi edhe vetë Carrick pas ndeshjes.
Ka mirëkuptim për Carrick sa u përket problemeve me dëmtimet me të cilat po përballet dhe shumë tifozë të United-it u pajtuan me mendimet e hapura të Lisandro Martinez javën e kaluar, kur ai deklaroi se skuadra nuk është mjaftueshëm e fortë për të konkurruar në nivelet më të larta.
Megjithatë, është e qartë se drejtuesit e United-it mendojnë se, pavarësisht këtyre faktorëve, skuadra është më e fortë se në sezonin e kaluar, kur Carrick e çoi ekipin në vendin e tretë në Premier League. Ndërsa këtë sezon, deri më tani, performanca e ekipit ka qenë tejet zhgënjyese.







