Me afrimin e zgjedhjeve parlamentare në Serbi, të planifikuara për të dielën, ka nisur zyrtarisht periudha e heshtjes zgjedhore. Shqiptarët e Luginës së Preshevës, të cilët këtë radhë po konkurrojnë me një listë unike, e kanë mbyllur fushatën me mesazhe që bëjnë thirrje për mobilizim dhe dalje në votime, me shpresën se uniteti politik do të sjellë përfaqësim më të gjerë në parlament.
Këtë të dielë, shqiptarët e Luginës së Preshevës do t’i drejtohen qendrave të votimit në kuadër të zgjedhjeve parlamentare serbe, duke u paraqitur për herë të parë me një listë të vetme elektorale.
Të lidhura
None found
Aspirantët për ulëse në Kuvend kanë intensifikuar thirrjet për angazhim qytetar, duke kërkuar që koalicioni politik të shndërrohet në vota, e votat në një zë më të fortë në arenën parlamentare.
Gjatë fushatës, përfaqësuesit e Koalicionit Shqiptar kanë vënë theksin te domosdoshmëria e pjesëmarrjes masive, duke i ftuar banorët e Luginës së Preshevës që të votojnë për listën e përbashkët, e cila mban numrin 17.
Sipas kandidatëve, unifikimi i forcave politike shqiptare krijon një mundësi reale për të forcuar pozitën e shqiptarëve brenda institucioneve shtetërore serbe dhe për të çuar përpara kërkesat që lidhen me dinjitetin, barazinë dhe mbrojtjen e të drejtave themelore.
Duke u mbështetur te slogani “Për dinjitet, barazi dhe një zë që nuk hesht përballë padrejtësisë”, kandidatët kanë nxitur elektoratin të angazhohet maksimalisht për ditën e votimit.
Ata kanë nënvizuar se çdo votë ka peshë dhe se dalja në zgjedhje është një detyrim i përbashkët për të siguruar të ardhmen e përfaqësimit të shqiptarëve në parlamentin serb.
Në këtë kontekst, është bërë apel edhe për bashkëkombësit që jetojnë e punojnë në Kosovë, që të ushtrojnë të drejtën e votës dhe të ndihmojnë në zgjerimin e peshës politike të shqiptarëve të Luginës.
“Të angazhohemi, të mobilizohemi dhe të dalim të gjithë në votim”, është mesazhi qendror i kandidatëve të Koalicionit Shqiptar në orët e fundit para zgjedhjeve.
Kandidatët kanë bërë thirrje që energjia e ditëve të fundit të fushatës të materializohet me një fluks të lartë votuesish, me qëllim që bashkimi politik të kthehet në më shumë mandate dhe në një zë më të fuqishëm brenda strukturave shtetërore serbe.
Porosia e tyre për ditën e zgjedhjeve është e qartë: të bashkuar pas numrit 17.
Të dielën, qendrat e votimit në Serbi do të funksionojnë nga ora 07:00 deri në orën 20:00. Në listat zgjedhore janë të regjistruar 6.450.523 qytetarë me të drejtë vote, ndërsa procesi do të zhvillohet në 8.392 vendvotime gjithsej, prej të cilave 93 ndodhen jashtë vendit, në 37 shtete.
Gjatë periudhës së heshtjes zgjedhore, e cila ka hyrë në fuqi në mesnatë, është e ndaluar çdo formë e prezantimit të kandidatëve dhe programeve të tyre në media apo në mbledhje publike, si dhe çdo thirrje drejtuar votuesve për të mbështetur ose kundërshtuar një listë të caktuar. Po ashtu, nuk lejohet publikimi i parashikimeve mbi rezultatet e mundshme.
Heshtja zgjedhore do të përfundojë të dielën, më 25 tetor, në orën 20:00, pikërisht me mbylljen e qendrave të votimit.







