Aktualiteti

Dhoma Amerikane: Qeveria na la pa mbrojtje, shkaqet e krizës i kemi paralajmëruar me kohë

07:05 - 23.10.26 GSH GSH
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Përmes një deklarate të jashtëzakonshme, Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri ka goditur ashpër qeverinë dhe institucionet shtetërore, duke deklaruar se komuniteti i biznesit ka mbetur krejtësisht i pambrojtur përballë dëmtimeve dhe ndërprerjes së dhunshme të aktivitetit gjatë ditëve të fundit.

Në reagimin zyrtar, AmCham ka ngritur gishtin e akuzës ndaj qeverisë dhe politikëbërësve, duke kujtuar se kjo krizë e paqëndrueshmërisë nuk erdhi nga hiçi, por është pasojë e injorimit të paralajmërimeve që biznesi ka bërë prej vitesh.

“Na lanë pa mbrojtjen e nevojshme”
Sipas raportimeve të brendshme që i janë përcjellë Dhomës nga anëtarët e saj, shumë sipërmarrje po përballen me humbje të mëdha financiare nga dëmtimet e pronës private dhe ndalesat e punës, ndërsa institucionet përgjegjëse për sigurinë kanë dështuar t’u ofrojnë mbrojtje.

AmCham kujton se pas çdo biznesi që qëndron i mbyllur apo i sulmuar, rrezikohen direkt vendet e punës, të ardhurat dhe buka e familjeve shqiptare.

Kronikë e një krize të paralajmëruar
Dhoma Amerikane ka shpërthyer ndaj praktikës së qeverisë për të hartuar ligje në zyra të mbyllura, duke injoruar zërin e tyre tregtar.

“Prej vitesh, Dhoma Amerikane e Tregtisë ka qenë e angazhuar në mënyrë aktive me institucionet publike, duke paraqitur rekomandime dhe propozuar ndryshime në projektligje… Pavarësisht këtyre përpjekjeve të vazhdueshme, shumë prej shqetësimeve dhe rekomandimeve të anëtarëve tanë nuk kanë marrë vëmendjen dhe konsideratën e duhur,” thuhet shprehimisht në deklaratë.

Sipas tyre, ngrritja e tensioneve të sotme është vetëm maja e ajsbergut e një klime të degraduar biznesi, ku sipas Indeksit të tyre të fundit të Biznesit (AmCham Business Index), mjedisi ekonomik vuan prej kohësh nga sëmundje kronike si korrupsioni, monopolet, konkurrenca e pandershme, burokacia e mbytshme dhe informaliteti i lartë.

Rreziku i largimit të investitorëve
Në mbyllje të qëndrimit të saj, Dhoma Amerikane lëshon alarmin e kuq: nëse qeveria dhe aktorët politikë nuk ulin urgjentisht tensionet dhe nuk garantojnë sigurinë publike të njerëzve dhe pronës, pasojat do të jenë afatgjata dhe të pariparueshme për ekonominë kombëtare.

Kjo pasiguri totale, paralajmëron AmCham, po vret përfundimisht besimin e investitorëve vendas dhe atyre të huaj për të mbajtur apo futur kapitalet e tyre në Shqipëri.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.