Vendosni fjalën kyçe....

Tërmet me magnitudë 7 në Tibet, të paktën 16 viktima dhe qindra banesa të shkatërruara



Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 7 ka goditur rajonin e Tibetit në Kinë, duke shkaktuar të paktën 16 viktima dhe dhjetëra të plagosur. Lëkundjet kanë shkaktuar gjithashtu shembjen e qindra banesave, ndërsa ekipet e shpëtimit vijojnë operacionet në zonat e prekura.

Sipas Euronews, tërmeti u regjistrua të enjten në mbrëmje, rreth orës 22:33 me orën lokale, në zonën e Nagqu-së, në veri të Tibetit. Epiqendra ndodhej në një zonë me popullsi të rrallë dhe në lartësi të madhe mbi nivelin e detit.

Autoritetet lokale kanë raportuar se të paktën 339 banesa janë shembur si pasojë e lëkundjeve. Dhjetëra persona kanë mbetur të plagosur, disa prej tyre në gjendje të rëndë, ndërsa ekipet e emergjencave janë angazhuar për kërkimin e të mbijetuarve, vlerësimin e dëmeve dhe evakuimin e banorëve.

Sipas raportimeve të fundit, numri i të plagosurve është rritur në 65, ndërsa bilanci i viktimave mbetet 16. Më shumë se 12 mijë persona janë zhvendosur në zona më të sigurta, ndërsa autoritetet kanë angazhuar forca policore dhe ekipe të emergjencave për të përballuar situatën.

Lëkundjet janë pasuar nga qindra pasgoditje, duke shtuar shqetësimet për sigurinë e banorëve dhe qëndrueshmërinë e ndërtesave të dëmtuara. Operacionet e kërkim-shpëtimit vijojnë, ndërsa autoritetet po punojnë për t’u siguruar strehim dhe ndihmë personave të prekur nga tërmeti.