Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, deklaroi se vendi i qëndron besnik procesit të integrimit në Bashkimin Evropian dhe bashkëpunimit me udhëheqësit evropianë. Ai shprehu pritshmërinë që reformat e zbatuara deri tani të njihen dhe Shkupit t’i hapet rruga për nisjen e negociatave të anëtarësimit.
Pas pjesëmarrjes në Samitin e Procesit të Berlinit, Mickoski tha se diskutimet përcollën sinjale të rëndësishme për të ardhmen evropiane të Ballkanit Perëndimor. Sipas tij, në takim u rikonfirmua domosdoshmëria që vendet e rajonit të integrohen në Bashkimin Evropian sa më shpejt.
Të lidhura
None found
Ai nënvizoi se Maqedonia e Veriut e ka përafruar tashmë politikën e jashtme dhe atë të sigurisë me BE-në, ndërsa vijon punën për përmbushjen e reformave të parashikuara në agjendën përkatëse.
“Pres që e gjithë kjo për të cilën po flas të vlerësohet në një të ardhme shumë të afërt dhe të na jepet mundësia që më në fund ta fillojmë procesin e negociatave”, u shpreh Mickoski. Ai shtoi se integrimi gradual nuk mund të përdoret si alternativë ndaj anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian.
Lidhur me ngërçin e negociatave dhe ndryshimet në Kushtetutë, kryeministri kritikoi qeverisjen e mëparshme të LSDM-së dhe BDI-së. Marrëveshjen e bërë gjatë asaj periudhe ai e përshkroi si një barrë të trashëguar me të cilën duhet të përballet qeveria aktuale.
Mickoski ritheksoi se kabineti i tij nuk synon të largohet nga objektivi evropian, por as të cenojë interesat kombëtare maqedonase. Ai kërkoi që fillimisht të dakordësohet një plan veprimi për pakicat, i cili, sipas tij, duhet të gëzojë miratimin e të 27 shteteve anëtare të BE-së.
Gjatë deklaratës së tij, kryeministri u ndal edhe te zhvillimet ndërkombëtare. Ai paralajmëroi se dy vitet e ardhshme mund të sjellin vështirësi të mëdha për Evropën dhe botën, veçanërisht për shkak të krizës energjetike dhe luftës në Ukrainë.







