'Studentët kërkojnë largimin e Ramës', Grimci: Arrestime të paligjshme dhe keqtrajtime në komisariate

09:35, 23/10/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

E ftuar në një lidhje Skype në emisionin “Kafe Shqeto” në SYRI TV, avokatja Eda Grimci ka denoncuar dhunën ndaj studentëve dhe protestuesve, duke akuzuar Policinë e Shtetit për arrestime të paligjshme, kërcënime dhe keqtrajtime në komisariate.

Grimci deklaroi se 35 nga 38 masat e sigurisë të shqyrtuara një ditë më parë ishin konstatuar të paligjshme, ndërsa theksoi se mes të ndaluarve kishte edhe të mitur.

Ajo kundërshtoi shifrën e kryeministrit Edi Rama për 191 policë të plagosur, duke e cilësuar të pabesueshme, dhe akuzoi qeverinë se po shmang vëmendjen nga dhuna ndaj të rinjve.

“Çfarë po kërkojnë ata studentë? Ata kërkojnë largimin e Edi Ramës”, u shpreh Grimci në SYRI TV.

Pjesë nga intervista:

Po lexoja shifrat, në fakt, por ndryshojnë që sot në mëngjes. Duke qenë se e ka bërë deklaratën dje ose pardje, kur i ka nxjerrë këto shifra, atëherë po ia shtoj edhe 65 persona, që janë konstatuar të dhunuar brenda në gjykatë, të konstatuar me procesverbale të gjykatës, në çdo proces gjyqësor të masave të sigurimit.

Dhunohet gjatë shoqërimit, në momentin që ata arrestohen. Kamerat shohin vetëm kur ndalohen. Në momentin që ndalohen, dhuna është shtazarake. Edhe në ato raste kur nuk është për në spital, është i dhunuar dhe me hematoma në gjithë trupin.

Pasi ndalohet aty, futen në furgon, kërcënohen, shahen, goditen. Vazhdon dhuna në furgon. Në momentin që hyjnë në komisariat, aty dhuna ndalon dhe aty fillon një tjetër dhunë: mbajtja nga 10 orë nëpër qeli, 30 veta në një qeli ku duhet të rrinë 4 apo 5 veta.

Aty fillon presioni tjetër. Ka pasur raste që nuk u është lejuar të çohet as ujë, por këto nuk konsiderohen dhunë nga kryeministri. Dhe kryeministri na ka nxjerrë një shifër prej 191 policësh të plagosur. A e di kryeministri që, nëse një protestues, një student i plagosur, shkon në spital, do të arrestohet si pjesëmarrës në protestë? E di këtë, se e ka dhënë vetë këtë urdhër?

Ata, shyqyr, pranojnë që të mos shkojnë dhe ta deklarojnë dhunën, se në atë moment që ata shkojnë në spital, do të arrestohen.

Ka pasur raste të arrestimeve në flagrancë ose u kanë shkuar në shtëpi natën, dhe këto nuk janë bërë publike, sepse mediat këtë nuk mund ta pasqyrojnë. I kanë arrestuar nëpër rrugica, poshtë shtëpisë. Ka pasur raste që kanë shkuar dhe janë mjekuar dhe e kanë gjetur veten në komisariat, sepse aty ka një grup punonjësish policie që presin te urgjenca pikërisht për këtë gjë. Dje kanë qenë 38 masa sigurimi, ku 35 janë konstatuar të paligjshme. A është normale kjo? Kush mban përgjegjësi për këto?

Kjo është shkelje e rëndë e ligjit, shpërdorim detyre. Arrestimi në flagrancë, si absolutisht i pavlefshëm, është krim, është vepër penale. Nuk mund ta arrestosh një person, t’i heqësh lirinë dhe ta hedhësh në një qeli për 72 orë. Çfarë do të thotë kjo? Pesë minuta nga jeta e një fëmije janë shumë. Ajo dhunë, ajo marrje në pyetje që u bëhet, është shumë. Shumica e tyre janë të mitur. Kanë qenë 9 të mitur dje, janë mbajtur nga 72 orë, dhe këta thonë: “I nxjerr gjykata”. Por gjykata nuk mund të mos i nxjerrë. 15 raste dje ishin jashtë afatit prej 48 orësh të ndalimit dhe dërgimit të çështjes në gjykatë. Dosja kishte ardhur me vonesë në gjykatë. Këta duhet të lirohen menjëherë, nuk ka nevojë as për të bërë fare procesin, si në rastin që e konstatoi prokurori para dy ditësh, që bëri konstatimin e paligjshmërisë së arrestit në flagrancë. Dhe ky më tregon 191 policët e plagosur, të veshur me mburoja, skafandra, maska antigaz.

Absolutisht nuk e besoj atë numër. Ku janë këta 191 policë? Se ky e ka zakon që i shtrin 10 policë atje në çdo protestë dhe pastaj, kur shkonim ne në komisariat, i gjenim aty.

Dhe ky më bën teori, më krahason me Francën, me Italinë, me Gjermaninë e me Spanjën. Çfarë teorie bën ky? Çfarë po kërkojnë ata studentë? Ata kërkojnë largimin e Edi Ramës.

E ky bën teori: “Mediat e korruptuara, të cilat ushqehen me paratë e pensionit”. Ky që pensionistët i ka lënë në mëshirë të fatit, ky që ndihmën sociale e ka 45 mijë lekë të vjetra.

E ndërkohë që dëgjova këtë Bora Muzhaqin, se kjo sa herë del thotë perla, kjo tha që është konstatuar nga gjykata që 1 në 5 studentë është me precedent penal. Po si nuk kanë turp këta? Aty, në 500, mund të kenë qenë 5 veta.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco