Qytetarët që kanë ndarë një pasuri të paluajtshme mes bashkëpronarëve mund të aplikojnë për regjistrimin e pjesëtimit në Kadastër përmes portalit e-Albania. Procedura realizohet mbi bazën e një marrëveshjeje noteriale ose të një vendimi gjyqësor, në varësi të mënyrës se si është kryer ndarja e pronës.
Agjencia Shtetërore e Kadastrës sqaron se regjistrimi i pjesëtimit të pasurisë së paluajtshme është një procedurë që u mundëson bashkëpronarëve të pasqyrojnë në regjistrat kadastralë ndarjen e pronës, sipas dokumentacionit ligjor përkatës.
Për të përfituar këtë shërbim, qytetarët duhet të identifikohen në portalin e-Albania dhe të kërkojnë shërbimin me emërtimin “Regjistrimi i pjesëtimit të pasurisë së paluajtshme me vendim gjykate/apo marrëveshje noteriale – R15”.
Pas përzgjedhjes së shërbimit, aplikanti duhet të plotësojë të dhënat personale, informacionin identifikues të pasurisë që do të regjistrohet, si dhe të dhënat e palës tjetër të përfshirë në procesin e pjesëtimit.
Një nga fazat kryesore të aplikimit është ngarkimi i dokumentacionit që vërteton ndarjen e pasurisë. Në varësi të rastit, kërkohet kontrata noteriale e pjesëtimit, vendimi i gjykatës ose dokumente të tjera mbështetëse. Dokumentacioni duhet të ngarkohet në formatin PDF.
Pas plotësimit të formularit dhe dërgimit të aplikimit, qytetari mund të shkarkojë mandatin përkatës për kryerjen e pagesës së shërbimit.
Pagesa mund të realizohet në disa mënyra: online, pranë sporteleve të Postës Shqiptare ose në një bankë të nivelit të dytë.
Kadastra u rekomandon qytetarëve që, përpara nisjes së aplikimit, të verifikojnë plotësinë e dokumentacionit dhe saktësinë e të dhënave të pasurisë, në mënyrë që të shmangen mangësitë që mund të sjellin vonesa në shqyrtimin e kërkesës.
Ky shërbim ka rëndësi veçanërisht në rastet kur një pasuri është në bashkëpronësi dhe palët kanë vendosur ta ndajnë atë me marrëveshje, apo kur pjesëtimi është përcaktuar përmes një vendimi gjyqësor.
Regjistrimi në Kadastër mundëson pasqyrimin zyrtar të pjesëtimit të pasurisë në regjistrat përkatës, duke ndihmuar në qartësimin e të drejtave pronësore të secilës palë. /ekofin.al


