Friday / October 23 / 2026
Revista Monitor Logo
hamburger menu icon

mbyll

close icon
Ads
Lajmet Kryesore Nga Vendi

Drafti, bizneset tarifa për ambalazhet, qytetarët marrin para kur kthejnë shishet, qeset me pagesë

Share Share Icon

Prodhuesit, importuesit dhe tregtarët në Shqipëri do të përballen me detyrime të reja financiare për ambalazhet që vendosin në treg, ndërsa konsumatorët do të paguajnë një depozitë të rimbursueshme për shishet plastike dhe kanaçet e pijeve. Ndryshimet parashikohen në një projektvendim të qeverisë, i cili vendos gjithashtu ndalimin e qeseve plastike nën 70 mikronë dhe shitjen e detyrueshme me pagesë të qeseve më të trasha.

Projektvendimi i Ministrisë së Mjedisit “Për ambalazhet, mbetjet e ambalazheve, qeset plastike të lehta dhe qeset plastike oxo-degraduese, etiketimin dhe gjurmueshmërinë” parashikon një sistem të ri financimi për grumbullimin, transportin dhe riciklimin e mbetjeve të ambalazheve. Nëpërmjet skemës së përgjegjësisë së zgjeruar të prodhuesit, bizneset do të detyrohen të financojnë menaxhimin e mbetjeve që krijohen nga produktet e ambalazhuara që vendosin në treg.

Në relacionin që shoqëron projektvendimin, Ministria e Mjedisit thekson se “Projektvendimi krijon detyrime financiare të drejtpërdrejta për prodhuesit, importuesit, paketuesit dhe distributorët e ambalazheve, si dhe për subjektet e shitjes me pakicë”.

Sipas dokumentit, këto subjekte do të financojnë ose do të marrin pjesë në organizatat e përgjegjësisë së zgjeruar të prodhuesit dhe në sistemin e depozitë-rimbursimit, pa mbështetje financiare nga buxheti publik.

Detyrimet përfshijnë pagesën e tarifave të ambalazhit për funksionimin e organizatave të licencuara mjedisore, blerjen e koshave të grumbullimit të diferencuar, transportin e mbetjeve dhe investimet në sistemet e deklarimit dhe gjurmueshmërisë. Bizneset do të mbulojnë edhe kostot e makinerive automatike për kthimin e ambalazheve, tarifat e menaxhimit për dyqanet që marrin pjesë në sistem dhe rimbursimin e bashkive për shpenzimet përkatëse të menaxhimit të mbetjeve.

Kontributet financiare do të diferencohen sipas karakteristikave të ambalazheve, përfshirë shkallën e riciklueshmërisë dhe përmbajtjen e materialit të ricikluar. Projektvendimi nuk përcakton ende një vlerë konkrete të tarifës për kilogram ose për njësi ambalazhi.

Një tjetër ndryshim prek drejtpërdrejt konsumatorët. Për shishet plastike njëpërdorimëshe dhe ambalazhet metalike të pijeve deri në tre litra parashikohet vendosja e një depozite monetare gjatë blerjes, e cila do të kthehet plotësisht pasi konsumatori të dorëzojë ambalazhin bosh në një pikë të autorizuar.

“Për ambalazhet e pijeve njëpërdorimshe ngrihet Sistemi i Depozitë-Rimbursimit, ku konsumatori paguan një tarifë depozite në blerje e cila i rimbursohet atij plotësisht pas kthimit të ambalazhit bosh në pikat e autorizuara të shitjes”, përcakton neni 7 i projektvendimit.

Vlera e depozitës nuk është përcaktuar ende. Sistemi synon që deri më 1 janar 2031 të grumbullohet veçmas të paktën 90% e ambalazheve të përfshira në këtë skemë. Konsumatorët do të kenë të drejtë ta marrin depozitën pa qenë të detyruar të kryejnë një blerje tjetër.

Ndryshime parashikohen edhe për qeset plastike. Projektvendimi ndalon prodhimin, importimin, shpërndarjen dhe përdorimin në pikat e shitjes të qeseve mbajtëse plastike me trashësi nën 70 mikronë, duke ruajtur përjashtimet për qeset shumë të lehta që përdoren për qëllime higjienike ose për ushqime të shitura pa ambalazh.

Qeset me trashësi 70 mikronë ose më shumë do të lejohen vetëm nëse përmbushin kërkesat teknike dhe të ripërdorimit, por nuk do të mund të jepen falas.

“Qeset mbajtëse plastike të përcaktuara në pikën 3 nuk u ofrohen konsumatorëve pa pagesë. Çmimi i tyre paraqitet veçmas dhe në mënyrë të dukshme në pikën e shitjes dhe, kur është teknikisht e mundur, evidentohet veçmas në dokumentin fiskal”, përcakton neni 4.

Projektvendimi nuk cakton një çmim minimal apo maksimal për këto qese, por detyron tregtarët t’i shesin kundrejt pagesës. Bizneset duhet të ndërpresin tregtimin dhe të tërheqin stokun e qeseve të ndaluara deri më 30 qershor 2028.

Sipas relacionit, zbatimi i kërkesave të reja mund të kërkojë investime fillestare nga operatorët ekonomikë për përshtatjen e prodhimit, logjistikës dhe sistemeve të raportimit. Ndërkohë, Ministria e Mjedisit deklaron se reforma nuk parashikon efekte financiare shtesë për buxhetin e shtetit.

Projektvendimi parashikon zbatimin e përgjithshëm të rregullave të reja nga 1 korriku 2028, me afate të mëvonshme për disa detyrime specifike. Dokumenti është ende në fazën e projektit dhe vlerat përfundimtare të tarifave të ambalazheve dhe depozitave për konsumatorët mbeten për t’u përcaktuar.

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ekskluzive Monitor Top 1,000

Publikohen për herë të parë treguesit financiarë të 1000 kompanive më të mëdha në vend. Renditja e grupeve kryesore!

Eksploro Top List
Live Now

Lajme të Ngjashme

Bota /

Nafta arrin në 114$ për fuçi, bursat globale tronditen nga frika për inteligjencën artificiale

Çmimi i naftës Brent u rrit në 114.45 dollarë për fuçi të premten, më 23 tetor, duke arritur nivelin më të lartë që prej muajit maj, ndërsa tregjet...

1 hour më parë 5 Min Lexim

Tatimet pranojnë rënien e xhiros së bizneseve nga protestat; lehtësi për pagesat e tatimfitimit

Protestat e nisura prej më shumë se dhjetë ditësh nga studentët po ndikojnë në rënien e konsumit në bare dhe restorante, veçanërisht te bizneset pr...

5 hours më parë 6 Min Lexim
Ads
collaps icon

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS! Regjistrohu Falas!

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS!

Si përdorues i paregjistruar, mund të lexoni vetëm 200 artikuj në muaj. Mund ta rrisni këtë limit duke krijuar një llogari FALAS në faqen tonë.

Regjistrohu FALAS!